“Disko funeral” nis xhirimet, një film artistik me ngjarje të kohës

    0
    588

    “Disko funeral”, titullohet filmi me regji nga Benard Laze. Një projekt kinematografik, që ka nisur xhirimet këto ditë, prodhuar nga shtëpia kinematografike “On Film Production”. Me skenar shkruar nga Benard Laze dhe Lorin Terezi, ky projekt është me financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Aktorë në filmin me regji nga Benard Laze janë Tristan Halilaj, që është dhe protagonisti kryesor, për të vijuar dhe me Rael Hoxha, Kristiana Dodaj, Kristaq Pilo, etj. Në filmin me regji nga Laze, rutina e qetë e jetës së Xhimit në një ambient absurd, midis ëndrrave ku kërcen hitet e diskos së viteve ’80 dhe punës si varrmihës merr fund ditën kur ai i shantazhuar nga eprori i tij pranon të shkatërrojë një varr të vjetër, për ti hapur vendin një blerësi të ri. Xhirimet e filmit këto ditë po zhvillohen në varrezat e Sharrës, ndërsa do të jenë dhe në vende të tjera në Tiranë. Ky është nga projektet para të filmit artistik me metrazh të shkurtër, që Qendra Kombëtare e Kinematografisë lajmëron se kanë filluar xhirimet, për të vijuar më pas gjatë këtij viti dhe me të tjerë projekte të tjera të regjisorëve të ndryshëm. Me rolin e Mandit në film vjen aktori i njohur Kristaq Pilo. I njohur për aktivitetin e tij me role në filma, aktori shprehet se këtë herë është një personazh që vjen ndryshe nga ata që ka interpretuar deri tani në fushën e kinematografisë. “Personazhi im në filmin artistik me metrazh të shkurtër “Disko funeral”, është krejt ndryshe nga të gjithë ata, që unë kam lozur deri tani në kinematografinë shqiptare me filmat. Roli im është ndryshe, sepse këtu kemi të bëjmë jo thjesht me çështjen e kohës së personazhit që është në këtë film, por me atë që me domosdoshmërinë që ka filmi për këtë personazh”, tregon aktori i njohur Kristaq Pilo.

    Puna me filmin

     Regjisori Benard Laze këto ditë ka nisur xhirimet me filmin e tij “Disko funeral”, ku në role janë angazhuar aktorë të rinj, por dhe emra të njohur të kinematografisë shqiptare. Edhe pse pak zbulohet për filmin, aktori Kristaq Pilo shton më tej se personazhi i tij është në kërkim për atë, çfarë kanë bërë me varrin e gruas së tij. “Ngjarjet e filmit zhvillohen në ditët tona, në Tiranë. Personazhit që unë luaj, Mandit, i kanë zhvarrosur të shoqen nga varri, sepse këtu bëhet fjalë për mafien që heqin të varrosurit nga varret dhe i lirojnë tjetrit. Mandi ka tre vjet, që kërkon se kush ia ka bërë këtë. Në një ditë të bukur, me një bloger që e merr me vete te varreza për intervistën, ky sheh aty varrmihësin që hiqte varret e tjera, dhe flet blogeri edhe në prezencë e personazhit. Atëherë ky i shkëputet blogerit, i del nga skenari i tij, dhe shkon e mbyt atë, bën vrasje me gjithë mllefin që ka ndaj asaj që i ka ndodhur. Pse ma bërë këtë i thotë? Ai nuk e përballoi dot intervistën tek blogeri”, tregon mes të tjerave aktori. Këtë herë me një grup të rinjsh në filmin e tij të parë për këtë vit, aktori Kristaq Pilo shprehet se është një bashkëpunim, që i ka bërë shumë përshtypje për punën e tyre. “Ishin djem fantastik, me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe ajo që më bëri përshtypje ishte logjika me të cilën ata punonin. Nuk punonin për momentin, pra e kishin në mendje atë që do të realizonin dhe përkushtimi i gjithë stafit ishte fantastik për filmin “Disko funeral””, thotë mes të tjerave aktori Kristaq Pilo, aktor dhe pedagog i arteve. Me aktivitetin e tij aktori Kristaq Pilo është angazhuar në filma të ndryshëm, ndërsa ky projekt në kinema për këtë vit duket se është i pari, pasi më tej ai do të jetë me të tjera angazhime artistike. Në fushën e kinemasë, në projektet e regjisorit Benard Laze përmendim dhe filmin “Atila”. Me skenar dhe regji nga Benart Laze filmi përcjell një dramë të fuqishme për ditët tona.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here