Lëvizja Socialiste për Integrim duket se ka futur në sherr kryedemokratin Lulzim Basha me disa nga aleatët e tij. Në 14 janar të këtij viti opozita e bashkuar ndryshoi kurs dhe vendosi që të ulej në tryezën e dialogut me Partinë Socialiste. Si rrjedhojë e kësaj vendimmarrje u krijua Këshilli Politik, i cili do të merret me reformën zgjedhore, ndërsa si afat i fundit i miratimit të saj është lënë 15 marsi i po këtij viti.
Ky Këshill zhvilloi në datën 16 janar mbledhjen e tij të parë, duke marrë edhe vendimet e para, teksa vendosi të caktojë 6 ekspertë ligjorë për hartimin e reformës, ndër to dy nga opozita joparlamentare, dy nga Komisioni për Reformën Zgjedhore (mazhoranca dhe opozita parlamentare) dhe dy të jashtëm. Por nga opozita joparlamentare, aksesin për të pasur një sy në këtë Këshill në nivel ekspertësh e gëzoi vetëm PD dhe LSI, privilegj, i cili nuk u mirëprit mirë nga Partia Republikane dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Përfaqësues të këtyre dy partive të udhëhequr nga Fatmir Mediu dhe Mesila Doda reaguan ashpër në mbledhjen e Këshillit, duke kërkuar që edhe ata të kenë ekspert të tyre dhe jo vetëm partia e Kryemadhit. Të ndodhur përpara kësaj situate, gazeta ka mësuar se ditët e fundit PR dhe PDIU kanë rritur presionet ndaj liderit demokrat, teksa i kanë kërkuar që të mos bëjë diferencime, pasi për ta edhe këtyre partive iu lind e drejta që të kenë ekspertë në Këshill.
Kreu i PD detyrohet t’u japë ekspertë çamëve
Por duket se presionet e Partisë Republikane dhe Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet në adresë të Partisë Demokratike kanë rezultuar frytdhënëse, pasi gazeta ka mësuar se edhe këto dy parti do të përfaqësohen në Këshillin Politik me ekspertë të tyre. Ky vendim është marrë në mbledhjen që kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar të mërkurën në selinë blu me aleatët e tij. Sipas informacioneve, mësohet se opozita ka caktuar ekipin e saj të ekspertëve të cilët do të jenë pjesë e tryezës për reformën zgjedhore. Kështu, katër ekspertët të cilët do të hartojnë draftin përfundimtar të reformës zgjedhore në koherencë me dokumentin që është firmosur nga të gjitha palët politike në mbledhjen e parë të tryezës së përbashkët për “Zgjedhoren”, janë Ivi Kaso-PD, Muharrem Caka-LSI, Shkëlqim Sulo-PDIU dhe Arjan Madhi-PR. Pra, përplasjet dhe presionet e fundit që PR dhe PDIU kanë ushtruar ndaj Bashës, kanë detyruar këtë të fundit që t’ju japë ekspertë çamëve të Shpëtim Idrizit dhe republikanëve të Fatmir Mediut.
Zbardhen përplasjet
Interesant është fakti se sipas informacioneve, Partia Republikane dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet arritën që t’i mbushin mendjen kryedemokratit Lulzim Basha vetëm, pas presioneve që i bën. Mësohet se këto dy parti i janë frikësuar një puci që mund t’i bëjnë PD dhe LSI sa i takon reformës zgjedhore, kështu që kanë kërkuar që edhe ata të jenë të barabartë në tryezë, duke pasur ekspertë të tyre. Madje, ajo që e vërteton se ka pasur presione dhe hatërmbetje është një deklaratë e bërë dy ditë më parë nga kreu i PR, Fatmir Mediu, i cili theksoi se reforma zgjedhore duhet të marrë mendimin e të gjithë partive dhe jo të përqendrohet në vendimin e pak personave.
“I kam kërkuar aktorëve kryesorë që ky këshill të ketë funksionin që duhet, në bazë të marrëveshjes që është realizuar. Unë besoj që do ta ketë një funksion të tillë sepse produkti nuk është thjesht teknik. Produkti është një marrëdhënie edhe politike. Sa më tepër pjesëmarrje të ketë në këtë vendimmarrje aq më mirë është. Kur ne synojmë të kemi aktorë nga shoqëria të involvuar në proces, besoj se involvimi i një mase më të madhe partish politike në gjykimin e një çështje, padyshim që është i rëndësishëm”, deklaroi Mediu.