Dhënia e shpërblimit për pensionistët dhe kategoritë e tjera që trajtohen me pension ka qenë një nga objektivat kryesorë të qeverisë në buxhetin e vitit 2019. Konkretisht 1.9 miliardë lekë ishte bonusi i shpërblimit të fundvitit, prej të cilit çdo përfitues do të marrë 3 mijë lekë të reja. Por, deri më tani vetëm 50% e tyre kanë tërhequr shumën e përfituar. Këtë informacion e bëri të ditur zëvendësministri i Financave, Elton Harxhit, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë për miratimin e aktit të dytë normativ për buxhetin 2019. Harxhi tha se, që pas datës kur ka nisur shpërndarja e fondit, për ata persona që e marrin në llogari bankare shuma e përfituar është hedhur menjëherë në llogaritë e tyre, ndërsa pjesa tjetër duhet të shkojë t’i tërheqë pranë zyrave postare.
“Pas ngjarjes së fundit që ndodhi me tërmetin, sigurisht që qeveria e pati disi të vështirë, por arriti të grumbullojë fondin për bonusin e fundvit për pensionistët dhe familjet në nevoja pa cenuar buxhetin e shtetit. Deri me 31 dhjetor 2019 kanë tërhequr paratë rreth 50% e përfituesve. Këta janë ata individë të cilët i tërheqin paratë nëpërmjet llogarisë bankare kështu që edhe shuma që ata përfitojnë u ka kaluar nga ISSH në llogaritë që ata disponojnë. Ndërsa pjesa tjetër duhet të paraqitet pranë postës”, sqaroi zëvendësministri.
Të pakënaqur janë shprehur deputetët e opozitës, ndër ta deputeti Artur Roshi. Ai u shpreh skeptik në lidhje me atë pjesë të pensionistëve që nuk i kanë tërhequr akoma paratë. Sipas tij, është e pamundur që asnjë pensionist të mos ketë shkuar pranë postës për të kryer tërheqjen e bonusit. Roshi tha se disa prej tyre mund të kenë shkuar tek posta, por nuk u është dhënë shpërblimi. “Zoti zëvendësministër më duket pak e çuditshme që nuk është bërë shpërndarja totale e fondit të fundvitit. Pse nuk e kanë marrë akoma bonusin ata që duhet ta tërheqin nga posta? Nuk besoj që asnjë qytetar nuk është paraqitur në zyrat e postës, por ata mund të jenë paraqitur dhe nuk e kanë marrë shumën e përfituar. Sepse në të kundërt humbet qëllimi për të cilin jepet ai fond. Qeveria shpërblen këto kategori për të kaluar festat dhe sigurisht që ata do shkonin për të marrë paratë”, tha Roshi. Ndërkohë, Ministria e Financave sqaroi se nëqoftëse një qytetar shkon tani tek Posta, menjëherë i jepet shuma e përcaktuar. Sipas Harxhit, paratë janë aty përderisa qeveria e ka përcaktuar këtë fond për bonuset.
Kontribuesit dhe përfituesit e pensioneve
Diskutimet rreth çështjes së pensioneve kanë vazhduar më tej në Komisionin e djeshëm të Ekonomisë. Për të treguar bilancin mes fondit të përcaktuar për shpërblimin e fundviti dhe personave që e përfitojnë atë, Elton Harxhi tregoi se deri më tani regjistrohen mbi 663 mijë qytetarë që përfitojnë pension. Ndërkohë numri i kontribuuesve ka ardhur në rritje, nga 752 mijë në vitin 2018, në 780 mijë kontribuues në 2019. Nga ana tjetër deputeti Roshi vazhdon ti drejtohet me kritika ministrisë, pasi sipas tij skema e re e pensioneve nuk ka rezultuar aspak e suksesshme.
“Shifrat që dhatë për kontribuesit në skemën e pensioneve në raport me numrin e atyre që përfitojnë më duken shqetësuese. Sipas këtyre të dhënave, duket se ulet numri i punëmarrësve që derdhin kontribute për punonjësit e tyre. Skema e re e pensionit duket se ka kaluar në kolaps, ndaj gjej rastin t’i bëj thirrje qeverisë t’i drejtohet si partner biznesit. Gjithashtu, shtoj se alokimet për fondin e bonusit duhet t’i kishit bërë nga investime të pashfrytëzuara në zëra të tjerë dhe jo t’i merrnit nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore”, theksoi ai. Kritikave të Roshit ju përgjigj menjëherë relatorja e buxhetit, Blerina Gjylameti, e cila sqaroi se fondi për bonusin e funditviti nuk ka shënuar ulje në buxhetin e ISSH për 2019.