Ndryshohen rregullat për marrjen e patentës si dhe për kalimin e pronësisë së mjetit. Ditën e djeshme Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar ndryshimet e bëra së fundmi në udhëzimin “Për aktivitetin e autoshkollave, pajisjen e kandidatëve me leje drejtimi, kualifikimin e instruktorëve të autoshkollave dhe specialistëve të drejtorisë së përgjithshme të shërbimeve të transportit rrugor”.
Sipas ndryshimeve, të gjitha autoshkollat që ushtrojnë këtë aktivitet dhe pajisin qytetarët me patentë duhet të verifikohen dhe regjistrohen patjetër në portalin e shërbimeve on-line e-Albania. Gjithashtu çdo person që kërkon të pajiset me patentë duhet me patjetër të regjistrohet në portal dhe leja e drejtimit do lëshohet vetëm me konfirmimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. “Me paraqitjen e dokumenteve nga autoshkollat në portalin unik të shërbimeve qeveritare e-Albania, DRSHTRR-ja bën verifikimin nëse autoshkolla plotëson kriteret teknike dhe profesionale për të ushtruar veprimtarinë sipas përcaktimeve të licencës. Gjithashtu regjistrimi i personave të interesuar për t’u pajisur me leje drejtimi bëhet në portalin unik të shërbimeve qeveritare e-Albania”, thuhet në vendim.
Edhe për tërheqjen e autorizimit të gjithë aplikantët e interesuar duhet të regjistrohen në portalin on-line me të gjithë të dhënat dhe dokumentacionin që u kërkohet. Vendimi sqaron se shtetasit e huaj kanë gjithashtu të drejtë të pajisen me patentë, por edhe këta individë duhet të paraqesin çdo dokument të kërkuar në bazë të ligjit përkatës dhe të regjistrojnë të dhënat në portalin e-Albania. “Të gjithë personat e interesuar, që nuk janë shtetas shqiptarë, mund të pajisen me leje drejtimi të mjetit, pasi të paraqesin dokumentet e përcaktuara në nenin 311, të vendimit të Këshillit të Ministrave, në portalin unik të shërbimeve qeveritare e-Albania”, sqarohet në vendim.
Certifikata e pronësisë
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka sjellë dhe disa risi në lidhje më procedurat e regjistrimit të mjetit. Në këta rast janë bërë disa ndryshime në udhëzimin nr. 4, datë 28.6.2019, nga ku tregohet se si duhet të veprojë një pronar mjeti, të cilit i ka humbur certifikata e pronësisë. “Në pikën 1, e nenit 14, e kreut I, thuhet se: në rastet e humbjes, vjedhjes, shkatërrimit ose dëmtimit të certifikatës së pronësisë së mjetit duhet të bëj deklarimin humbjes së mjetit në portalin unik të shërbimeve qeveritare e-Albania”, theksohet në vendim.
Individi i cili deklaron vjedhjen apo shkatërrimin e mjetit në portal duhet të paraqesë edhe disa dokumentacione të kërkuara si: aplikimin dhe shërbimin e kërkuar, i cili përmban dhe formularin e shërbimit, sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja; deklarimin për humbjen e certifikatës së pronësisë, e shprehur në modelin e sipër përmendur. Çregjistrimi i automjeti gjithashtu mund të bëhet online nëpërmjet procedurave dhe dokumentacionit përkatës. Në rast të çregjistrimit pronari i tij duhet të regjistrojë në portalin on-line dokument identifikimi si: kartë identiteti ose pasaportë biometrike. Gjithashtu kërkohet verifikim dhe disa dokumente nga sportelet e drejtorisë rajonale. Rregullorja thotë se dokumente që duhet të dorëzoni në sportelet e drejtorive rajonale: dokumenti i identifikimit ose Ekstrakti i QKB-së për bizneset; leja e qarkullimit të mjetit i dhënë drejtuesit; targat e mjetit; certifikatë pronësie, si dhe vërtetim i pronësisë nga RBS (Regjistri i Barrës Siguruese).
Ndërkohë, hapat që duhet të ndjekë çdo individ për çregjistrim e makinës fillojnë me regjistrimin në portal, më pas klikon aplikacionet që të udhëzon vetë portali në shërbimin “Aplikim për çregjistrim të përhershëm mjeti”. Pasi keni kryer çdo procedurë duhet të paraqiteni pranë sporteleve të drejtorive rajonale për dorëzimin e dokumenteve. Rregullorja sqaron se ky lloj shërbimi i marrë nga aplikantët nuk ka afat të caktuat dhe kushton vetëm 600 lekë.