Shkon në Kuvend drafti i plotë për amnistinë. Edhe pse pritej që amnistia të miratohej para festave të fundvitit, ky ligj pritet të kalojë në seancë plenare në ditët në vijim. Dje nisi sesioni parlamentar dhe u bë me dije se mes ligjeve të depozituara nga Parlamenti, është dhe ai për amnistinë. Sipas draftit që është depozituar në Kuvend, ku pjesë e përfitimit të amnistisë janë burrat të cilët janë të dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë deri në 2 vjet burg, apo çdo dënim tjetër të butë siç janë gjobat, vendime të cilat janë dhënë deri në datën 30 shtator 2019.
Kësaj kategorie i shtohen edhe ata burra të cilët nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit u ka ngelur pa shlyer edhe 2 vite heqje lirie. Po ashtu, sipas projektligjit të depozituar në Kuvend, pjesë e përfitimit të amnistisë janë edhe gratë dhe të miturit, të cilët janë të dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë deri në 3 vjet, duke përfshirë këtu edhe dënimet e buta me gjobë. Por edhe gratë dhe të miturit të cilëve u ka mbetur 3 vjet vuajtje dënimi nga hyrja në fuqi e këtij projektligji, do të jenë përfitues të amnistisë. Një tjetër kategori që përfitojnë nga amnistia janë edhe gratë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat të cilët gjatë kohës që kanë kryer veprën penale kanë qenë nën 18 vjeç. “Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ; Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë; Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet; Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet; Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç”, thuhet në draft.
Ja kategoritë që nuk përfitojnë
Por përveç kategorisë së të burgosurve që përfitojnë liri, ka dhe nga ata që nuk përfitojnë nga amnistia. Në këtë kategori bëjnë pjesë personat të cilët janë të dënuar me burgim të përjetshëm. Po ashtu, një tjetër kategori që nuk përfitojnë janë edhe ata që janë dënuar nga gjykata për dhunë në familje, krime seksuale apo korrupsion. Në draft parashikohet gjithashtu se nuk përfitojnë as të dënuarit për krime zgjedhore, si dhe ata që kanë kryer vepra të rënda penale. Një tjetër kategori që nuk përfiton amnisti janë edhe ata persona që janë dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë për të njëjtën vepër penale, duke vijuar më tej edhe me ata persona të cilët i janë shmangur ndjekjes penale apo procesit hetimor.
“Krime kundër njerëzimit; Krime kundër jetës, të kryera me dashje; Vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit; Krime seksuale; Vepra penale kundër lirisë së personit; Vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit; Vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes; Vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike; Vepra penale kundër falsifikimit të monedhave dhe letrave me vlerë; Vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve; Vepra penale kundër zhvillimit të palejuar të lojërave të fatit; Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve; Vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale”, thuhet në draft. Për femrat dhe të miturit ka edhe një përjashtim tjetër. Në pikën 8, të nenit 3 thuhet se femrave dhe të miturve, që nuk përfshihen tek kategoritë përfituese, u zbriten 1/4 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndalues. Përjashtohen vetëm ata janë përsëritës të së njëjtës vepër penale.