SHBA ndez motorët për të futur në shina politikën dhe shmangur rreziqet që vijnë nga Irani, Palmer i jep direktivat ambasadores Yuri Kim

0
273

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndezur motorët për t’i dhënë fund krizës politike në Shqipëri. Ulja e palëve në tryezën e dialogut ishte lëvizja e amerikanëve, por dje janë dhënë sinjale se SHBA nuk do të ndalet me kaq. I dërguari Special i Departamentit Amerikan të Shtetit në Ballkan, Mattheë Palmer ka zhvilluar dje një takim me ambasadoren e re Yuri Kim, ku i ka dhënë asaj direktiva mbi situatën në Shqipëri para se të mbërrijë në Tiranë. Lajmin mbi takimin e tyre e bëri me dije ambasada e SHBA, ku përmes një njoftimi deklaroi se në fokus të diskutimeve mes Palmer dhe Yuri Kim ka qenë kriza politike në Shqipëri dhe shmangia e rreziqeve që vijnë nga Irani. “Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Veçantë për Ballkanin Perëndimor Mattheë Palmer u takua me Ambasadoren Yuri Kim për të diskutuar qëndrimin e guximshëm dhe parimor të Shqipërisë mbi Iranin, si dhe lajmin pozitiv lidhur me përkushtimin ndërpartiak për të realizuar reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. SHBA qëndron krah Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA. Pas largimit të Donald Lu, vendi jonë kishte ngelur pa një ambasador amerikan, çka do të thotë se i mungonte një zë i fortë. Yuri Kim duket se do e nisë fuqishëm mandatin e saj në Tiranë, ku pritet që t’i japë një hov të madh reformës në drejtësi dhe organeve të reja si SPAK dhe BKH. Gjatë prezantimit të saj në Senat, ajo bëri me dije se do të inkurajonte Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por një tjetër pikë kryesore ku ajo do të fokusohet do të jetë edhe dhënia fund e krizës politike në vend dhe jo vetëm ulja në tryezë për reformën zgjedhor. Yuri Kim pritet që të ulë të gjitha palët politike në tryezë dialogu dhe për ti bindur ata që të lënë mosmarrëveshjet mënjanë për të mirën e vendit. Ardhja e ambasadores së re të SHBA në Tiranë do të jetë një zë i fortë për të penguar ngërçin politik dhe zhvillimin e reformës në drejtësi. Tashmë të gjithë sytë janë te ambasadorja e re, e cila pritet të mbërrijë në Tiranë në fund të muajit janar ose në fillim të muajit shkurt.

Ja synimet e Yuri Kim

Pak kohë më parë gjatë prezantimit në Senat, ambasadorja e re Yuri Kim deklaroi se synimet e saj kryesore janë reformë në drejtësi dhe dhënia fund e krizës politike në Shqipëri. “Do të inkurajoj Shqipërinë të vijojë me kursin e qëndrueshëm për të arritur në 2% të investimeve të mbrojtjes deri në vitin 2024, që kështu Shqipëria të jetë edhe më e fuqishme dhe e aftë si aleate. Do të vazhdoj të promovoj zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Do të shtyj drejtuesit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik. Më thelbësore, unë do të forcoja ndihmën diplomatike dhe të ndihmës në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të inkurajojnë Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformat gjyqësore, të vazhdojë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e një strukture speciale të pavarur, Struktura Kundër Korrupsionit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit”, tha Yuri Kim pak kohë më parë në Senat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here