Këshilli Politik i ngritur sipas marrëveshjes së nënshkruar më 14 janar mes opozitës dhe mazhorancës u mblodh ditën e djeshme për herë të parë, ndërsa pas konstituimit ka marrë edhe vendimet e para. Këshilli ka vendosur që të caktojë gjashtë ekspertë ligjorë për reformën zgjedhore, ku dy do të jenë nga opozita e bashkuar, dy nga komisioni, praktikisht një nga shumica dhe një nga opozita në Parlament dhe dy të tjerë që do të jenë të jashtëm nga OSBE-ja. Por ky vendim, nuk është mirëpritur mirë nga çamët, teksa mësohet se përfaqësuesja e PDIU, Mesila Doda ka debatuar, ndërkohë që ka kërkuar që ekspertë të kishte edhe partia që ajo përfaqëson. Por kërkesa e saj ka hasur kundërshti dhe është rrëzuar, duke vendosur përfundimisht gjashtë ekspertë: Një ekspert nga Partia Demokratike, një nga Lëvizja Socialiste për Integrim, një nga Partia Socialiste (Dritan Çaka), Rudina Hajdari dhe dy Kuvendi, të cilët janë Ilir Rusmajli dhe Viktor Gumi. Nga ana tjetër, gazeta ka mësuar se edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është shprehur i pakënaqur nga roli i këshillit. “Këshilli duhet të këtë rol më të madh. Ne duhet të mblidhemi edhe herë të tjera në mënyrë të vazhdueshme për të ndjekur punën e këtij grupi”, mësohet të jetë shprehur Mediu. Ndërkaq, Damian Gjiknurin ka theksuar se duhet të ketë kompromis politik. Kompromisi politik përcakton qartë që këshilli ka për detyrë vetëm të autorizojë grupin e punës dhe ekspertëve. Kaq kemi rënë dakord. Nëse lind nevoja, s’na pengon gjë që të mblidhemi”, ka thënë Gjiknuri. Ndërkohë, deputeti Alban Zeneli është shprehur i kënaqur që në tryezë kanë pranuar njëri-tjetrin. “Më vjen mirë që në këtë tryezë kemi pranuar njëri-tjetrin. Ky grup pune s’mund të kthehet në agjenci punësimi. Kaq ekspertë janë mjaftueshëm”, ka thënë Zeneli.
Zbardhet dokumenti me kushtet e opozitës
Por pas përfundimit të mbledhjes, Partia Demokratike ka bërë publike dokumentin me shtatë pika të paraqitur dhe ka diskutuar dje në tryezën e Këshillit Politik për reformën zgjedhore. Në dokument përfshihen pikat nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, tek ndryshimi i sistemit zgjedhor, financimi i partive, ndarja e politikës nga krimi deri tek transparenca e diskutimeve dhe gjithëpërfshirja. “Diskutimet mbi reformën zgjedhore duhet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe publike. Produkti i dakordësuar, miratohet pa ndryshime në komisionin e reformës zgjedhore dhe në seancë plenare; Diskutimi për reformën zgjedhore duhet të kryhet sipas një rendi përparësish, me qëllim zgjidhjen e problematikave që kërkojnë vullnet politik për të garantuar zgjedhjet demokratike dhe qeverisjen përfaqësuese dhe kushtetuese dhe më pas, me zgjidhjen e çështjeve me karakter teknik. Rekomandimet prioritare të Raporteve të OSBE-ODIHR, që mbulojnë çështje themelore për standartet e zgjedhjeve: Shitblerja e votës, Mosndëshkimi i krimeve zgjedhore, Presioni mbi zgjedhësit, Presioni mbi administratën, Abuzimi me burimet shtetërore, Liria e votës dhe Sekreti i votës”, thuhet në dokument.
Reagojnë Bylykbashi dhe Gjiknuri
Pas përfundimit të mbledhjes, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në këtë Këshill, Oerd Bylykbashi foli për një dakordësi dhe përputhje të plotë mes prioriteteve të vendosura nga të gjitha palët me rekomandimet e vendosura nga OSBE/ODIHR në raportet e saj ndër vite për zgjedhjet shqiptare. Bylykbashi vuri theksin tek konsensusi dhe rëndësia që palët t’i qëndrojnë deri në fund zotimit për konsensus. Ndërkohë, Damian Gjiknuri, si përfaqësues i Partisë Socialiste nuk përjashtoi mundësinë që Këshilli Politik të zhvillojë mbledhje të përditshme për të mundësuar që brenda datës 15 mars, që është vënë edhe afati kohor përfundimtar të ketë një draft për reformën zgjedhore, që do t’i kalojë për miratim Kuvendit.