“Engjëjt e Amerikës”, vepër e rëndësishme e shekullit të njëzet

0
590

Drama “Engjëjt e Amerikës” në ditët e dhjetorit erdhi në skenë te “ArTurbina” për publikun. Premierë e Teatrit Kombëtar, vepra e autorit Tony Kushner u soll në skenë me regji nga Arben Kumbaro, si dhe në role një kastë aktorësh të njohur. Vepra u shfaq për publikun me në role aktorët Genti Deçka, Helidon Fino, Luiza Xhuvani, Laert Vasili, Donald Shehu, Indrit Çobani, Ina Gjonçi, Luli Bitri dhe Vasjan Lami. Teatri Kombëtar shprehet se kjo vepër në skenë ishte me një kast brilant, ndërsa dhe nga kritika e huaja vlerësimet për veprën nuk kanë munguar më parë. “Një nga veprat teatrale më të rëndësishme të shekulli të XX- “Metro Weekly”. “Engjëjt e Amerikës”, kryevepra bashkëkohore e Tony Kushner”, shkruan mes të tjerave Tetari Kombëtar, për këtë pjesë që ishte në skenë për publikun. Autori Tony Kushner ka shkruar se në këtë vepër ngrihen çështje të mëdha. “Çështja e madhe që na ngrihet përpara është kjo: A na pret fundi, vallë? A do të kemi çlirim prej së shkuarës? Çështja e madhe që na ngrihet përpara është: A mund të ndryshojmë? Me kalimin e kohës? Dhe të gjithë ne e dëshirojmë ardhjen e ndryshimit”, thuhet në shënimin e autorit Kushner, një nga emrat më të vlerësuar në botë për veprat e tij. Skenografia në dramë erdhi e realizuar nga Adrian Kapo, kostumografe Berina Kokona, kompozitor Endri Sina, koreografia nga Kozeta Bakiu dhe as. regjisore Doriana Çaushi. Në shfaqjen “Engjëjt e Amerikës”, ngjarjet zhvillohen kryesisht në Nju Jork në vitet ‘90, koha e Presidentit Regan. Kjo është koha kur ndodhi dhe ngjarja më e madhe e epokës sonë: rënia e murit të Berlinit. Shoqëria njerëzore u vu në kërkim të “Armikut të Ri” duke e gjetur atë tek të ndryshmit e saj, nga përkatësia racore, fetare, kulturore apo prirjet seksuale. Prandaj, autori e ka quajtur pjesën e dytë të “Engjëjve të Amerikës”, që regjisori i paraqet publikut shqiptar “Perestrojka”. Por “Engjëjt e Amerikës” ka pasur sukses dhe si film. Aktorët Al Pacino dhe Meryl Streep, morën çmimin e aktorit dhe aktores më të mirë. Filmi fitoi gjithashtu në kategoritë për regjinë më të mirë si dhe atë të teknikës më të mirë. Tony Kushner, i lindur më 16 korrik 1956, është një nga dramaturgët dhe skenaristët amerikanë më të vlerësuar të kohës sonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here