Aleksandër Peçi: Paratë e taksapaguesve shkojnë për të stimuluar mediokritete, Ministria e Kulturës nuk njeh vlerat

0
344

Festivali ndërkombëtar “Pianodrom” zhvilloi edicionin e shtatë në Tiranë.Në ditët e tij u përcoll një program i pasur muzikor dhe në skenë ishin artistë të njohur. Por zhvillimi i festivalit këtë vit riktheu dhe problemet, që has krijimtaria muzikore në vendin tonë. E lënë pa mbështetje nga institucionet që duhet ta promovojnë dhe vlerësojnë, krijimtaria shqiptare për autorë të ndryshëm është lënë pa vëmendje. President i festivalit “Pianodrom”, kompozitori i njohur Aleksandër Peçi shprehet se këtë edicion u luajtën 37 vepra në total, gjë që duhet ta dëgjojë ministria, e cila nuk tregoi vëmendje. “Një falënderim i shkon të gjithë pjesëmarrësve, po i rendis sipas radhëve të koncerteve: Klejda Tare, Rejsi Prosi, Dorina Laro, Kristina Petrollari, Kosti Deti, Kostandin Tashko që i dhanë “Pianodron” vlerat më të bukura muzikore në këtë fund viti, që i dhanë muzikës shqiptare 27 vepra shqiptare dhe 11 trashëgimi botërore. 37vepra në total, që i dhanë zhvillimit të kompozicionit shqiptar 20 vepra premierë botërore e 27 vepra shqiptare, dhe këtë duhet ta dëgjojë shumë mirë e shumë fort Ministria e Kulturës, kolegjiumi i ministrisë, drejtoria e arteve, vetë ministrja”, shprehet Peçi. Për kompozitorin Aleksandër Peçi, Ministria e Kulturës nuk ka dhënë fonde këtë vit për krijimtarinë shqiptare. “Ndër 150 projekte, ministria s’ka shpenzuar asnjë cantim për krijimtarinë muzikore shqiptare. Pra për gjithë 2019 ministria si ka dhënë krijimtarisë muzikore shqiptare asnjë cantim, pra asnjë cantim për kompozicionin shqiptar. Hajde politikë kulturore!”, thotë kompozitori Aleksandër Peçi, i cili dhe më parë ka reaguar për problemet muzikore në vend. Gjatë këtij viti krijues të ndryshëm i janë drejtuar herë pas here Ministrisë së Kulturës për vlerësim të krijimtarisë shqiptare dhe ndihmë përmes projekteve të financuara prej saj, gjë që nuk ndodhi këtë vit. Kompozitori Peçi shprehet se Ministria e Kulturës nuk di se ku janë vlerat kombëtare. “E them me përgjegjësi të plotë dhe profesionalizëm të lartë, se super vlera si Kosti Deti e Kostandin Tashko, që janë krenari kombëtare, krenaria e konservatorit të Triestes, krenaria e prof. Teresa Trevisan, fitues të dhjetëra e dhjetëra kompeticioneve ndërkombëtare, dhe që padyshim përveç se janë një vlerë kombëtare janë edhe vlerë ndërkombëtare dhe veprat që luhen në “Pianodrom” janë vlera ndërkombëtare, atëherë unë pyes: kjo ministri a i di se ku i ka vlerat ndërkombëtare, të cilat duhet të mbështes? Apo merret me vlera e vogëlsira lokale?”, vijon kompozitori.

Paratë shkojnë për mediokritete

 Profesor i kompozicionit në vend, Aleksandër Peçi shprehet se paratë e taksapaguesve shkojnë për të stimuluar mediokritete. “Konkluzioni leku i taksapaguesve po shkon për të stimuluar mediokritete kompozicionale antivlerash dhe jo tek artistë intrepretë e krijues me vlera ndërkombëtare. Dhe këtë jua thotë një profesor i kompozicionit, që ka nxjerrë emra të njohur për publikun nga Valentin Veizi e deri tek Enis Mullaj e emrat e tjerë, që bota muzikore i njeh, që kanë dalë nga klasa ime e kompozicionit”, vijon profesor Peçi. Ndërsa falenderon bashkinë që mbështeti këtë festival, kompozitori shton më tej se brezi i ri i krijuesve mban peshën e krijimtarisë shqiptare. “Falenderimi i dytë shkon për brezin e ri të kompozitorëve pjesëmarrës dalë nga klasa ime e kompozicionit Dorian Çene, Ajet Çekiçi, Alban Dhamo, Enis Mullaj dhe më i riu Kostaq Bitollari, si dhe kompozitorët pjesëmarrës në këtë edicion, të cilët mbajnë mbi supet e tyre peshën e zhvillimit bashkëkohor të kompozicionit shqiptar Simaku, Peçi, Ibrahimi”, thekson kompozitori. Politikat kulturore të ndjekura nga ministria vazhdojnë të kritikohen nga artistë dhe krijues të ndryshëm, duke pohuar të ketë më shumë mundësi për aktivitetin artistik.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here