Detajet, ja si u ashpërsuan përplasjet mes Enver Hoxhës dhe Nikita Hrushov, Kina në krah të Tiranës kundër Bashkimit Sovjetik

0
422

Dalin në dritë të tjera zhvillime gjatë regjimit komunist. Mediat britanike i kanë kushtuar rëndësi marrëdhënies së Shqipërisë me vendete huaja. Në disa artikuj tregohen përplasjet me Bashkimin Sovjetik. Po ashtu tregohet se si Kina u rreshtua krah Tiranës.

28 nëntor 1960

Kinezët sulmojnë hapur Hrushovin

Në Uashington kanë ardhur raportime se kinezët kanë kryer një sulm të hapur personal ndaj liderit sovjetik Nikita Hrushov, në konferencën e liderëve komunistë në Moskë javën që shkoi, sipas mediave britanike. Megjithëse raportimet nuk mund të konfirmohen burimet thonë se sulmet u drejtuan nga presidenti kinez Liu Shao Çi. Hrushov u kritikua për politikën e marrëdhënies me Perëndimin bazuar në ‘bashkëekzistencën paqësore’. Nëse është e vërtetë kjo do të ishte hera e parë që kinezët sulmojnë personalisht kreun sovjetik Hrushov, pasi deri tani ata ishin kufizuar në sulme të përgjithshme ndaj “elementëve devijacionistë”. Sipas raportimeve që kanë mbërritur në Uashington kreu komunist i Shqipërisë Enver Hoxha, një nga mbështetësit më të ashpër të linjës kineze, ka thënë privatisht se ditët e Hrushovit janë të numëruara.

12 qershor 1961

Rusia apo SHBA, cili vend ka më shumë probleme me Kinën?

Çështja e problemeve të Rusisë me Kinën ngrihet shpesh këtu në SHBA dhe ngre problemin se cila nga superfuqitë ka më shumë probleme me gjigantin aziatik, dhe ndoshta SHBA shpreson qe Rusia të ketë sa më shumë probleme me të për të lehtësuar barrën e vet. Por rreziku i Kinës për Rusinë është shumë më i vogël nga sa mendojnë amerikanët dhe për momentin më i vogël se rreziku i Kinës ndaj SHBA. Problemet amerikane me Kinën kanë lidhje me përhapjen e ideologjisë radikale komuniste dhe rritjen e influencës së Pekinit në Azi, ndërsa problemet ruse janë në një tjetër nivel. Deri tani rusët gëzojnë shumë më tepër prestigj në botën komuniste sesa Kina por kanë nisur të krijohen dy rajone të konfliktit ku Kina përfaqësohet në Evropë nga Shqipëria përballë Italisë në Adriatik, dhe në Azinë qendrore nga Mongolia. Ndërkohë Rusia ka lëvizur duke u bërë mike e mbrojtëse e Vietnamit. Shqipëria është më e dhimbshme për Rusinë pasi vendi ka qenë deri tani bastion sovjetik në Mesdhe, por gjërat pritet të ndryshojnë. Edhe situata në Shqipëri të çon te debati ideologjik mes Hrushovit dhe udhëheqësit komunist të Kinës, Mao Ce Dun. Që kur erdhi në pushtet Hrushovi ka promovuar linjën e bashkëekzistencës paqësore mes Lindjes e Perëndimit pa arritur deri te lufta. Ndërsa Mao Ce Dun dhe grupi i tij beson se lufta mes dy kampeve është e paevitueshme për shkundjen e regjimeve kapitaliste. Në mbledhjen e madhe komuniste të Moksës nëntorin e shkuar Hrushovi fitoi mbështetjen për ideologjinë e tij të bashkëekzistencës dhe rrëzimit të kapitalizmit pa luftë të shpallur. Enver Hoxha i partisë shqiptare u bë palë me Kinën dhe kritikoi ashpër Hrushovin. Ky i fundit reagoi dhe Hoxha u detyrua të largohej nga konferenca. Nuk ka ende prishje zyrtare mes dy vendeve por Hoxha i ka mbushur burgjet me mbështetës ideologjikë të Hrushov dhe disa prej tyre janë ekzekutuar, sipas raportimeve të pakta nga republika e shkrete komuniste. Ndërkohë Kina ka ardhur në ndihmë të vendit me teknikë dhe para. Por për industrializimin e saj Kina ka nevojë për ndihmën sovjetike. Ajo vazhdon ende ta marrë por masa e saj po zvogëlohet që prej sherrit partiak të nëntorit të shkuar. Rusia dhe Kina duket se janë vetëm rivalë dhe jo anatagonistë. Ata me siguri do të mbështesin njëra-tjetrën kundër SHBA dhe kjo pritet të vazhdojë për një kohë të gjatë.

19 tetor 1961

Sulmet sovjetike ndaj Shqipërisë, paralajmërim për Kinën

Në sulmet e saj të ashpra verbale kundër Shqipërisë, në kongresin e partisë sovjetike, udhëheqësi Nikita Hrushov po bënte një paralajmërim ndaj Kinës komuniste. Ekspertët sovjetikë në SHBA i kanë interpretuar komentet e tij si një paralajmërim ndaj një rivali të madhe dhe jo vetëm një ulje e një kombi të vogël që nuk ngre peshë në skemën komuniste të gjërave. Një nga dëgjuesit e fjalimit të Hrushov ishte dhe kryeministri kinez Çu Enlai i cili raportohet se kishte qëndruar me fytyrë të ngrirë gjatë sulmeve mbi kombin e vogël që është ndjekësi sertë i doktrinës kineze të stalinizmit. Duke sulmuar Shqipërinë, Hrushov doli paksa nga karakteri i tij duke dënuar kultin e individit, që i referohej jo vetëm kreut komunist shqiptar Enver Hoxha por indirekt dhe udhëheqësit kinez Mao Ce Dun, i cili njihet për kultin e gjerë individual që i ka ndërtuar vetes. Gjithashtu sulmi i Hrushov mbi Shqipërinë ishte krijuar qartazi si paralajmërim se Moska dhe Kremlini do të mbeten qendra e udhëheqjes komuniste. Pas një analize të oratorisë së Hrushov në kongresin komunist, ekspertët amerikanë besojnë se ai është i vendosur mirë në pushtet dhe nuk pritet ta humbasë atë së shpejti.

21 tetor 1961

Udhëheqësit komunistë sulmojnë verbalist grupin stalinist

Një lumë dënesash janë derdhur ndaj partive të linjës së vjetër staliniste në kongresin e 22 të partisë sovjetike në Moskë, duke sinjalizuar nisjen e fushatës së spastrimeve. Kreu komunist gjermano-lindor Ualter Ulbricht ndërmori goditje ndaj Gjermanisë Perëndimore duke e sulmuar si “selia kryesore e rrezikut” dhe përsëriti kërkesat komuniste për një traktat paqeje të gjithë Gjermanisë. Zv. kryeministri sovjetik Anastas Mikojan tha: “Gjatë periudhës staliniste të kultit të individit, njerëz të tillë do të ishin ekzekutuar e burgosur, por ne e likuiduam atë ideologji dhe nuk i likuiduam ata fizikisht, por duke iu përmbajtur parimeve leniniste”. Mikojan dhe të tjerë sulmuan ashpër udhëheqësin shqitpar Hoxha, që akuzohet nga Hrushovi si një praktikues e stalinizmit për shtypjen e tij, e cila mbrohet nga kryeministri kinez Çu Enlai. Çu Enlai dhe Hrushov debatuan në kongres por sinjalizuan se konflikti nuk kishte prekur marrëdhënien e tyre personale. Gjatë një pushimi ata u panë duke ecur bashkë në këmbë e duke biseduar miqësisht. Në Beograd agjencia zyrtare e lajmeve Tanjug akuzonte se Çu Enlai kishte folur “shpikje dhe fabrikime në fjalimin e tij dhe sulmet ndaj Jugosllavisë. Agjencia citonte pjesë nga fjalimi i Çu Enlai, ku ai thoshte se denoncimet e njëanshme ndaj një partie vllazërore si Shqipëria, nuk ndihmojnë unitetin dhe zgjidhjen e problemit. Tanjug tha se “një mendësi e tillë nuk e ndaloi Çu Enlai të thoshte shpifjet më të rënda ndaj unionit të komunistëve jugosllavë”. Agjencia raporton se komiteti qendror i partisë shqiptare ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se sulmohet Hrushovi dhe komiteti qendror sovjetik. Mikojan akuzonte udhëheqjen shqiptare për devijim nga pozita e saj ndërkombëtariste dhe anësim me pozitat nacionaliste. Kjo ishte dhe akuza e shprehur nga Titos në 1948 që solli përjashtimin e Jugosllavisë nga blloku.

24 tetor 1961

Diktatori shqiptar lufton me Nikita Hrushov

Shqipëria, udhëheqja e së cilës është në konflikt me kryeministrin sovjetik Nikita Hrushov, është një tokë malore në formë kikiriku në Ballkan e njohur por spastrimet politike dhe fshatarët e rreckosur. Më shumë orientale sesa evropiane, vendi me 1.5 milionë banorë është kryesisht mysliman, edhe pse nuk ka besim fetar të deklaruar. E kufizuar nga Jugosllavia dhe Greqia, vendi ka lindur nga dy ish-provinca turke pas Luftës I Botërore dhe nuk ka pasur kufij zyrtarë deri në vitin 1925. Tashmë vendi udhëhiqet me dorë të hekurt nga Enver Hoxha më parë komunist i panjohur, ish-mësues gramatike në një shkollë pranë kufirit grek. Ai drejtoi rezistencën partizane gjatë luftës prej vitit 1943 dhe përshkruhet si njeri ambicioz, i aftë të drejtojë, intrigues dhe brutal kur është nevoja. Disa statistika të pasluftës për Hoxhën thonë se nga 14 udhëheqës luftëtarë të kohës së luftës, vetëm ai ka mbijetuar. Hoxha ka drejtuar shtetin për 20 nga 53 vitet e tij. Nga 31 anëtarë që ka pasur deri tani komiteti qendror i partisë komuniste shqiptare, 14 janë vrarë dhe vetëm nëntë kanë mbetur prej fundit të luftës. Vetë partia ka rreth 50 000 anëtarë , sa ç’është dhe popullsia e kryeqytetit Tirana. Hoxha është adhurues i Stalinit dhe është ndarë nga Moska pas distancimit të saj nga metodat staliniste të qeverisjes, duke u bërë palë me Pekinin në debatin e madh ideologjik të vitit të kaluar. Kina kërkonte një politikë militante ndaj fuqive perëndimore ashtu si dhe Hoxha që mbronte portretet e tij dhe të Stalinit të varur në vendin tij të mjeruar. Hoxha ka burgosur deri tani më shumë se 50 000 njerëz për akuza politike në 14 kampe përqendrimi. Tashmë analistët thonë se Hoxha është vënë me shpatulla për muri. Me kundërsulmet ndaj Hrushov, radio-Tirana e ka bërë të pamundur riafrimin me Moskën. Disa ekspertë thonë se me afrimin e Kinës dhe Shqipërisë ky grup kërkon të nisë një luftë për jetë a vdekje për rrëzimin e Hrushovit si lider i botës komuniste.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here