PS reagon për ndryshimet ligjore: Nuk ka asnjë tendencë ndaj presidentit, synojmë të zgjidhim ngërçet në drejtësi

0
262

Mazhoranca qeverisëse ka reaguar dje për herë të parë mbi nismën e ndërmarrë për të rrudhur kompetencat e presidentit sa i takon betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja ka sqaruar dje nismën për të ndryshuar ligjin për statusin e gjyqtarit e prokurorit dhe atë të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Ulsi Manjës, nuk ka asnjë tendencë ndaj kreut të shtetit. “Nuk ka asnjë lloj tendence, por të bëhen për të parashikuar apo zhbllokuar çdo situatë në të ardhmen. Sot është ky President, ky Kuvend, nesër do kemi organe të tjera, në krye të Presidencës do të jetë dikush tjetër. Këshilli i Lartë Gjyqësor pas përfundimit të mandateve të anëtarëve ekzistues do të ketë një përbërje tjetër. Dhe ndryshime në këto ligje synojnë të zgjidhin dhe zhbllokojnë situatën në vazhdimësi”, u shpreh Ulsi Manja. Edhe pse procedura që propozohet në betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ngjan me atë të ndjekur nga Arta Vorpsi teksa përballej për të njëjtin vend me Marsida Xhaferllarin, sipas mazhorancës nuk lidhet me emrin e saj. Pardjejanë zbardhur ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kështu, socialistët propozojnë që paragrafi i parë i nenit 8 të ligjit aktual për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të ndryshohet, duke i vënë presidentit një afat prej 10 ditësh për të ftuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që të betohen në Presidencë dhe nëse kjo nuk ndodh, anëtari ja dërgon betimin të shkruar, sikundër bëri Arta Vorpsi. Sipas asaj që thuhet në draft, nga momenti që anëtari i Kushtetueses ia dërgon betimin me shkrim presidentit, quhet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. “Presidenti i Republikës organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e zgjedhjes, emërimit ose shpalljes të emëruar të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim, konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfshihet në dosjen e tij personale. Në rast se gjyqtari nuk pranon të bëjë betimin, mandati i tij përfundon”, thuhet në draft-propozim. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here