PS të tjera ndryshime ligjore, ja si do të izolohen gjyqtarët e prokurorët që nuk kanë hyrë në veting, pezullim nga detyra për çdo denoncim

0
339

Zbardhet plani i PS për të izoluar gjyqtarët e prokurorët që nuk kanë hyrë ende në veting. Kryeministri Edi Rama, kur foli për grupin KÇK (Kap Çfarë të Kapësh), deklaroi se ka njerëz në drejtësi që e dinë se do të ngelin në veting dhe po bëjnë batërdi me dosjet hetimore apo vendimet gjyqësore. Ai përmendi rastin e prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, i cili më pas u përball me një atentat. Gjatë seancës plenare Rama deklaroi se do të bëhet një ligj i posaçëm për këtë grup, për të mos i lejuar të abuzojnë. Por përveç draftit që prezantoi kryeministri ku forcohet roli i policisë, PS planifikon të bëjë ndryshime dhe në ligjin për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit. Në kuadër të nismës së ndërmarrë për të rrudhur kompetencat e presidentit sa i takon çështjes së betimeve, janë bërë ndryshime dhe në nenin 152, i cili ka të bëjë me veprimet që do të ndërmarrë Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. Aty bëhet me dije se në momentin që për një gjyqtar e prokuror ka një denoncim, qoftë publik, qoftë nga qytetarë të thjeshtë, atëherë duhet të nisin menjëherë verifikimet. “Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen menjëherë një hetim paraprak për të verifikuar besueshmërinë e burimit të informacionit sipas nenit 124 të këtij ligji ose ankesës së paraqitur nga subjektet e përcaktuara në nenin 119 të këtij ligji, kur ka dyshim të arsyeshëm se një magjistrat ka kryer një shkelje të rëndë. Kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë përcakton se burimi i informacionit ose ankesa është e besueshme, i paraqet Këshillit përkatës kërkesën e arsyetuar për fillimin e një procedimi disiplinor dhe për pezullimin e magjistratit, brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marrë dijeni për shkeljen e pretenduar”, thuhet aty. Pra, pezullimi do të bëhet menjëherë pas denoncimit dhe më pas do të verifikohet nëse qytetari, apo një subjekt që ka qenë në proces gjyqësor apo hetimor ka të drejtë. Sipas argumenteve të PS, pezullimi duhet bërë nga KLGJ apo KLP pasi magjistrati mund të dëmtojë provat kundër tij. “Këshilli pezullon magjistratin nga detyra, nëse krijon bindjen se vazhdimi i magjistratit në detyrë dëmton rezultatin e procedimit disiplinor, pengon konkluzionin e tij të drejtë ose të rregullt, ose diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit. Këshilli vendos për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për pezullimin e tij jo më vonë se 3 ditë pas paraqitjes së kërkesës”, thuhet më tej në propozim.

Veprimet e KLGJ dhe KLP

Në ndryshimet ligjore që pritet të miratohen shumë shpejt në Parlament, bëhet e ditur se pezullimi zgjat deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Këshilli mbi kërkesën për procedim disiplinor, me përjashtim të rastit kur Këshilli vendos të revokojë pezullimin, sipas nenit 156 të këtij ligji. “Këshilli pezullon procedimin disiplinor kur çmon se ka nevojë për hetime të mëtejshme për shkeljen disiplinore duke i kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë këto hetime. Inspektori i Lartë i Drejtësisë heton me përparësi këto shkelje dhe i paraqet Këshillit raportin dhe dosjen e hetimit. Në këto raste, masa e pezullimit të magjistratit nga detyra vazhdon në fuqi”, thuhet në draft. Pra nëse ligji në fjalë do të ishte në fuqi, pas denoncimit të Ramës për Prokurorin e Durrësit, ILD duhej të niste hetimet. Sot që flasim në Inspektoratin e KLD janë rreth 800 ankesa nga qytetarë të ndryshëm dhe të gjitha përfunduan në kosh. Tani duket se ILD do marrë në dorë këtë proces.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here