Partia Demokratike ka kujtuar dje 29 vjetorin e themelimit. Por për shkak të tërmetit u pezulluan aktivitetet për këtë ditët, ndërkohë që nuk munguan reagimet. Kreu demokrat, Lulzim Basha u mjaftua me një postim në “Facebook”, ku foli për themelimin e partisë, por nuk pati asnjë mesazh për kontributin e themeluesit. Nëse shohim qëndrimet e viteve të mëparshme, Basha ka folur dhe me emra, ku i falënderonte protagonistët e 11 dhjetorit 1990, mes të cilëve edhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Mirëpo, ditën e djeshme, kujtimi i themelimit nga ana e kryedemokratit qe shume i thatë, duke treguar kështu qartazi se marrëdhëniet mes Bashës dhe Berishës janë ftohur. “Liri, Demokraci! 29 vjet më parë këto 2 fjalë ishin oksigjeni që rikthyen në jetë një komb, i cili ra në errësirën e diktaturës më të egër komuniste për gati 5 dekada. Liri, Demokraci është guri i themelit që ngriti në këmbë shtëpinë e demokratëve, shtëpinë e shqiptarëve që e donin Shqipërinë si gjithë Europa”, shprehet Basha në hyrje të fjalës së tij. Teksa shkrimin e tij përkujtimor e ka shoqëruar me një foto nga themelimi i PD, ku në foto duket ish lideri demokrat Berisha, në tekstin e Bashës nuk gjendet asnjë fjalë për të dhe kontributin që ai ka dhënë për këtë parti. Ndërkohë që, vetë Berisha në postimin e tij e ka lartësuar së tepërmi mundin e dhënë nga ai vetë dhe nga themeluesit e tjerë. “Për 29 vite, Partia Demokratike ia ka dalë të jetë partia e shpresës. Kjo është arritja jonë më e madhe në këto 29 vjet. Sot shqiptarët i kanë sytë nga ne për të finalizuar misionin për të cilin u themelua Partia Demokratike si garante e lirisë, e demokracisë dhe e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. Shqiptarët meritojnë të votojnë të lirë për qeverisjen e tyre, ata meritojnë një qeveri që punon për mirëqenien e tyre, që respekton fjalën e lirë dhe të drejtën e pronës, një qeveri që bën më të mirën për të siguruar të ardhmen e qytetarëve të saj! Fëmijët tanë meritojnë të rriten si shqiptarë europianë në Shqipërinë tonë të bukur, Shqipërinë si gjithë Europa! Dhe së bashku do ta bëjmë realitet”, ka shkruar Basha.
Reagon Berisha
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar po ashtu për 29 vjetorin e themelimit të PD. Me anë të një statusi të gjatë në Facebook, Berisha ka kujtuar arritjet e PD që nga fillesat e saj e deri para se ai të largohej nga pozicioni i kryetarit. Në reagimin e tij, vërehet qartë lartësimi që ai i bën periudhës kur ai ka qenë në krye të kësaj partie, duke sulmuar kështu Bashën. “Me përmbysjen e diktaturës komuniste qeveria e PD, e cila kishte shpallur që në javën e parë të themelimit të saj para shqiptarëve dhe botës interesin kombëtar dhe çështjen kombëtare, gjer atëherë të tradhtuara, si yllin e saj polar, vendosi ketë çështje në krye të programit të saj. Ajo nxori Shqipërinë nga izolimi më i thellë, e lidhi në miqësi me SHBA dhe vendet e tjera te lira. PD tashmë në pushtet në bashkëpunim të ngushtë me Lidhjen Demokratike të Kosovës ndërkombëtarizoi plotësisht çështjen e Kosovës”, ka shkruar Berisha. Ai ka treguar të gjitha arritjet e PD, si dhe ka bërë thirrje për ndryshim të situatës aktuale, duke i dërguar kështu një mesazh të qartë Bashës. Berisha ka kërkuar rrëzimin e regjimit aktual, pra përmbysjen e qeverisë. “Sot në opozitë Partia Demokratike është shndërruar në forcën kryesore politike të vendit, forcën e shpresës dhe besimit të shqiptareve, e gatshme dhe e sigurtë të shpëtojë Shqipërinë nga kthetrat e zeza të narkoshtetit për fitoren në zgjedhjet e ardhshme dhe vazhdimin e misionit të saj historik, integrimin e plotë të vendit në BE. Ndaj dhe sot po bëhet më e qartë se kurrë domosdoshmëria e përmbysjes së regjimit të kakistokracisë dhe zgjedhjes me shpejtësi të problemeve madhore që ka krijuar tërmeti i 26 nëntorit”, tha Berisha.
Arbjona ÇIBUKU