Ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, duket se i kanë mbaruar milionat e fituara përmes gjyqtarëve të këputur nga vetingu. Pas skandalit me zhdukjen e 713 milionë lekëve, u arrestua dhe u shkarkua nga detyra. Por pasi doli i pafajshëm në këtë mes, Fullani iu drejtua gjykatës ku kërkoi dëmshpërblim dhe rikthim në detyrë. Shkalla e parë e Gjykatës Administrative vendosi shpërblimin e tij me 12 paga mujore. Por ai mbeti i pakënaqur dhe e çoi çështjen në Apel, ku u vendos dëmshpërblimi me 56 paga, me një vlerë totale prej 42 milionë lekë të reja. Por si duket ish-Guvernatorit i kanë shteruar të ardhurat dhe për këtë arsye ka vendosur ta çojë betejën në Strasburg. Fullani ka kërkuar nga kjo gjykatë rikthimin e tij në detyrë në krye të Bankës së Shqipërisë me pretendimin se shkarkimi i tij është bërë në shkelje të nenit 8 të konventës së të drejtave të njeriut, si dhe dëmshpërblim për dëmet që sipas tij i janë shkaktuar në reputacion dhe ndershmëri. Palët që ish-Guvernatori ka paditur në Gjykatën e Strasburgut janë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe Parlamenti Shqiptar, pasi ishin pikërisht këta që vendosën për shkarkimin e tij nga detyra, pas vjedhjes së miliona lekëve nga dega e thesarit të bankës së Shqipërisë në Tiranë.
Pyetjet e Strasburgut për shtetin shqiptar
Por pas padisë që ish-Guvernatori i bëri Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe Parlamentit Shqiptar, Gjykata e Strasburgut i është drejtuar me 3 pyetje shtetit tonë. Së pari, Strasburgu kërkon të dijë nga shteti shqiptar se a mund të qëndrojnë pretendimet e ish-Guvernatorit, Ardian Fullani se është viktimë e një shkelje të Konventës dhe të nenit 34, në lidhje me gjetjet e gjykatave vendëse ndaj tij. Së dyti, është kërkuar përgjigje edhe nëse i ka shteruar Fullani të gjitha mjetet juridike efektive siç kërkohen nga neni 35 1 i Konventës në lidhje me ankesën e tij për nenin 8. Pyetja e tretë që Gjykata e Strasburgut ka dërguar është nëse ka patur një shkelje të nenit 8 1 të Konventës për të Drejtat e Njeriut. “Në lidhje me gjetjet e gjykatave vendase, aplikanti mund të pretendojë se është viktimë e një shkeljeje të Konventës në kuptimin e nenit 34 (shih, për shembull, Kurić dhe të tjerët kundër Sllovenisë [GC], nr. 26828 / 06, 259-62, ECHR 2012 (ekstrakte), dhe Konstantin Markin kundër Rusisë [GC], nr 30078/06, § 82, KEDNJ 2012 (ekstrakte); A i ka shteruar aplikanti të gjitha mjetet juridike efektive siç kërkohen nga neni 35 1 i Konventës në lidhje me ankesën e tij për nenin 8? Në veçanti, kërkuesi kërkohej të paraqiste një ankesë kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese, në përputhje me nenin 131 (f) të Kushtetutës dhe nenet 71, 71 / a, 76 dhe dispozitat e tjera përkatëse të Ligjit të Gjykatës Kushtetuese, të ndryshuar me ligj . nr. 99/2016; Pa cenuar pyetjet nr. 1 dhe 2, ka pasur një shkelje të nenit 8 1 të Konventës”, thuhet në kërkesën e Gjykatës së Strasburgut.
Përgjigjia
Ndërkohë Avokati i Shtetit ka afat deri brenda muajit janar të vitit 2020 që të kthejë përgjigjet e tre pyetjeve të parashtruara nga Strasburgu. Do të jetë pikërisht avokatia ajo që duke u bazuar në vendimet e marra nga gjykatat në vend si dhe vendimin që mori Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe Parlamenti Shqiptar për ta shkarkuar nga detyra, të japë përgjigje nëse janë vendime të bazuara në ligj apo ish-Guvernatorit i janë shkelur të drejtat e njeriut.
Elisjeda Kiko