Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Rexha, ka depozituar në Kuvend një projektligj të ri për Policinë e Shtetit, ku propozon disa ndryshime të rëndësishme në emërimet dhe karrierën e efektivëve.
Një nga ndryshimet kryesore është heqja e garës për shumicën e posteve drejtuese në polici, përveç gradës “drejtues madhor”, gradë kjo që mbahet vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Sipas deçutetit socialist, procedurat aktuale të konkurrimit janë të gjata, burokratike dhe pengojnë punën normale të strukturave policore.
Projektligji parashikon gjithashtu që një ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë, pas largimit nga detyra, të mos dalë automatikisht nga sistemi, por të vazhdojë karrierën pranë uniformave blu me gradën “drejtues i parë”, duke shërbyer në role të tjera si këshillues apo pedagog në Akademinë e Sigurisë.
Ndryshime propozohen edhe për sistemin e gradave. Afati për kalimin nga grada “komisar” në “kryekomisar” dhe nga “kryekomisar” në “drejtues” propozohet të ulet nga 5 në 4 vite, me argumentin se punonjësit që japin rezultate nuk duhet të presin gjatë vetëm për shkak të procedurave formale.
Po ashtu, drejtori i Përgjithshëm i Policisë do të ketë të drejtën të japë ngritje në gradë edhe para afatit, në raste të veçanta, për efektivë që dallohen për akte heroike apo rezultate të larta në luftën kundër krimit.
Ndërsa mandati i drejtuesit të një departamenti kërkohet të ulet nga 4 në 3 vjet dhe pas përfundimit të mandatit ka të drejtë rikandidimi për një mandat të dytë. Propozimi për emërimin e Drejtorit të departamentit bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe emërohet nga ministri i Brendshëm.
Ndërsa, për shefin e komisariatit në projektligj përcaktohet qartë se kushdo që zgjidhet në këtë post duhet të mbajë gradën “komisar” ose “kryekomisar”.
Ndryshimet pritet të diskutohen fillimisht në komisionet parlamentare dhe më pas të kalojnë për votim në Kuvend.







































