Kampionati po shkon drejt fundit dhe katër skuadrat ë po luajnë në “Final Four” kanë intensifikuar potencën e tyre në fushë për të mundësuar arritjen te titulli. Nuk është e lehtë, sidomos pas ndeshjeve të xhirove të para, ku kryesuesit e garës, Vllaznia dhe Elbasani, nuk ia dolën të fitonin dhe kjo bëri që gara të hapej plotësisht dhe tani janë në vorbullën e pretendimeve edhe Dinamo dhe Egnatia që fituan në xhiron e parë të “play-off”-it. Ndërkohë që vëmendjen e marrin pikërisht klubet që luajnë në “Final Four”, duket se lajmet më të mëdha po i prodhojnë ata që janë pushim në këtë fazë, skuadra si Skënderbeu i sapongjitur në elitë apo dhe Partizani që mbylli një edicion zhgënjyes në të gjitha kuptimet.
Skënderbeu me ndryshime në pankinë
Suksesi i Skënderbeut që u ngjit një kategori më lart, pra në Superiore, nuk mjaftoi për trajnerin Ernest Gjoka që të qëndronte në krye të skuadrës korçare. Ndaj te Skënderbeu ka ndryshime dhe po pritet një trajner tjetër. është pothuajse lajm zyrtar nga klubi korçar që Skënderbeu, pasi i ka dhënë lamtumirën Ernest Gjokës me mbylljen e kontratës së këtij të fundit, po kërkon një trajner të ri për sezonin 2026-2027 që e sheh përsëri në Superiore. Klubi do të bëjë një revolucion në emra dhe kërkon një trajner që të nisë një cikël të ri me qëllimin primar mbijetesën e më pas të tentojë diçka më shumë. Gjatë këtyre ditëve kanë qarkulluar shumë emra sa i përket trajnerit të ri që do të marrë drejtimin, por një nga pistat më konkrete është bërë ajo e Oltijon Kërnajës. Tekniku u largua pak javë më parë nga drejtimi i Partizanit dhe është në kërkim të një aventure të re. Mësohet se palët kanë zhvilluar bisedime në ditët e kaluara dhe po shkohet drejt një akordi mes palëve në mënyrë që Kërnaja të jetë emri i ri i pankinës së klubit juglindor.
Hoxha largohet nga Dinamo, rikthehet në Durrës te Teuta
Sipas mediave të ndryshime sportive, Rustem Hoxha është i pari që ka vendosur të largohet nga Dinamo dhe pritet vetëm zyrtarizimi i tij te Teuta. Hoxha nuk ka luajtur asnjë minutë këtë sezon me fanellën e Dinamos duke qenë se në verë pësoi një dëmtim të rëndë duke këputur ligamentin dhe për pasojë, nuk ishte në gjendje të aktivizohej. Edhe pse prej disa javësh ai është rikuperuar, stafi teknik nuk i ka dhënë hapësirë madje si në periudhën para janarit, ashtu edhe pas janarit emri i tij nuk figuronte në listën e federimit duke u bërë i pamundur aktivizimi. Sezonin e shkuar, Hoxha ishte shumë pranë largimit nga Dinamo duke qenë se ishte në negociata me Teutën për të kaluar me skuadrën bregdetare. Angazhimi i Dinamos në Europë, bëri që ky transferim të shtyhej për një moment të dytë dhe në miqësore, ai u dëmtua duke humbur pjesën më të madhe të sezonit. Diçka e tillë, bllokoi transferimin e tij në Durrës, megjithatë klubi i Dinamos u tregua i gatshëm të respektonte kontratën e Hoxhës duke e mbajtur pjesë të klubit edhe pse i dëmtuar dhe pa asnjë minutë në këmbë. Me fundin e sezonit, kalimi i Hoxhës në kampin durrsak është vetëm çështje ditësh teksa mbrojtësi e njeh mirë kampin e Teutës.






































