Evi Kokalari ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Sali Berishën, fëmijët e kryedemokratit, Shkëlzenin dhe Argita Malltezin, deputeten Albana Vokshi dhe të tjerë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë aktivistja-shqiptaro amerikane përmes rrjeteve sociale, ku thotë se ka paditur familjen Berisha dhe besnikët e kryedemokratit për marrjen peng të Partisë Demokratike.
Kokalari, e cila u pengua të garojë për kryeytare të PD-së, thotë se në kallëzimin e saj ka “shpjeguar në detaje se si u mor peng Partia Demokratike nga Kuvendi i 30 Prillit 2022 dhe si është përdorur për interesat personale” të familjes Berisha.
Postimi i plotë:
Sot në mëngjes kam bërë kallëzim penal në SPAK për marrjen peng të Partisë Demokratike nga familja Berisha dhe rrethi i tij, për arsye të qarta korrupsioni dhe për t’u përdorur si mburojë kundër vetë SPAK-ut.
Kallëzimi është kundër:
Sali Berishës
Shkëlzen Berishës
Argita Malltezit
Albana Vokshit
dhe disa të tjerë.
Kam shpjeguar në detaje se si u mor peng Partia Demokratike nga Kuvendi i 30 Prillit 2022 dhe si është përdorur për interesat personale të tyre.
Jam në dispozicion të plotë të SPAK-ut për këtë çështje, si dhe për çdo çështje tjetër ku prokurorët e shohin të arsyeshme që unë mund t’ju nevojitem.
Si e tillë, deri më sot kam marrë këto hapa:
1 – Kallëzim penal në SPAK
2 – Padi civile me kërkesë për masë sigurimi, tashmë e pranuar nga Gjykata (kërkohet pezullimi i Kuvendit të 23 Majit)
3 – Denoncim të detajuar pranë zyrës së Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë
4 – Email-update për zyrtarë të lartë të EPP-së
Për sa i përket Shqipërisë, me ndihmën e SPAK-ut dhe të Gjykatës, si dhe me mbështetjen nga jashtë të DASH-it dhe EPP-së, do ta izolojmë këtë kancer që ka pushtuar opozitën dhe, si pasojë, të gjithë politikën shqiptare.
To be continued…
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.







































