Shkeljet e Metës me dekretimin e Marsida Xhaferllarit, komisioni hetimor nuk përjashton dërgimin e çështjes në Venecia

0
292

Partia Socialiste është e vendosur për t’i shkuar deri në fund shkarkimit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta nga detyra. Pak ditë më parë Parlamenti ka shtyrë me 4 muaj afatet e komisionit hetimor për presidentin Meta, ndërsa ka bërë pjesë të axhendës edhe shkeljet me dekretimin e Marsida Xhaferllarit në Kushtetuese. Të shumtë ishin ata që dolën kundër zgjatjes së afateve dhe zgjerimin e objektit hetimor, duke akuzuar socialistët se kanë filluar të tërhiqen nga shkarkimi i Ilir Metës. Por gazeta ka mësuar disa detaje të reja nga strategjia e mazhorancës. Disa anëtarë nga komisioni hetimor theksuan se nëse do të jetë e nevojshme në janar kur të mblidhet komisioni, nuk përjashtohet dërgimi në Komisionin e Venecias i shkeljeve të Metës me dekretimin e Marsida Xhaferllarit. Sipas informacioneve, qëllimi i dërgimit të kësaj çështje në Venecia është për të pasur një interpretim të saktë dhe një panoramë të qartë të shkeljeve të kreut të shtetit mbi veprimet e fundit me Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që komisioni hetimor ta ketë më të lehtë hartimin e raportit final që do t’ia dërgojë Kuvendit për votim. Pra edhe pse mazhoranca është e vendosur për të shkarkuar Metën, pasi sipas saj, ai ka shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën, një opinion tjetër i Venecias do të jetë një bonus për të, të cilën shumica pritet ta përdorë si “armë” kundër presidentit. Megjithatë, asgjë nuk është vendosur dhe mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë qëndrimi do të mbajë mazhoranca sa i takon kësaj çështje. Kujtojmë që, mbi shtimin e veprimtarisë hetimore për kreun e shtetit, mazhoranca ka evidentuar 4 pika kyçe. Sipas socialistëve, presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën me nxjerrjen e dekretit për emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tyre, me nxjerrjen e këtij dekreti Meta ka vepruar kundër kompetencave të tij që i jep Kushtetuta dhe ligji, duke shtuar se ai në mënyrë të përsëritur po përdor në mënyrë abuzive pushtetin që i ka ngarkuar Kushtetuta. Po ashtu, socialistët theksojnë në kërkesën e tyre se Marsida Xhaferllari ka marrë një mandat të paligjshëm si gjyqtare e Kushtetueses, fakt ky që cenon ligjshmërinë e vendimmarrjeve të kësaj gjykate. Një tjetër shkelje e Metës për mazhorancën është se ai nuk ftoi në ceremoninë e betimit Arta Vorpsin, e cila u përzgjodh nga KED si anëtare e Kushtetueses pas mbarimit të afateve të Metës. Po ashtu, kreu i shtetit nuk e njeh Vorpsin si gjyqtare kushtetuese, i cili po refuzon të zbatojë një detyrim ligjor e kushtetues, që përbën një abuzim me pushtetin që i ka ngarkuar Kushtetuta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here