Pasuria fundos gjyqtarin Fatri Islamaj, KPK e gjen me shumë probleme, del në seancë dëgjimore një tjetër kandidate e SPAK

0
407

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi dje një seancë dëgjimore me gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj. Për gjyqtarin ka mbaruar hetimi për të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit. Gjatë relatimit, trupa gjykuese duke cituar ILDKPKI, bëri të ditur se për subjektin e rivlerësimit është konstatuar se nuk ka kryer deklarim të saktë të pasurive, nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e tyre, ka refuzuar të deklarojë, ka kryer deklarim të rremë dhe fshehje, por se nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit. Më pas relatorja bëri të ditur pasuritë e deklaruara nga subjekti në veting. Për një apartament në Tiranë të blerë në vlerën 10.5 milionë lekë me pjesë takuese 50% për qind, Islamaj ka deklaruar si burim krijimi një kredi të marrë në një bankë në shumën 10.5 milionë lekë. Relatorja tha se çmimi i blerjes së apartamentit ka qenë preferencial për gjyqtarin Islamaj. Ajo shtoi se edhe banka i kishte dhënë kredi në vlerën 100 për qind të blerjes së apartamentit pa pasur ndonjë kolateral si garanci. Por subjekti tha se ka pasuri neto gjithsej në vlerën 3.4 milionë lekë dhe se të ardhurat e tij janë 21 milionë lekë. Gjyqtari, lidhur me gjetjet e KPK-së tha se nuk ka trajtim preferencial, pasi vlera për metër katror është rreth 10 mijë lekë më e lartë nga çmimi i tregut. KPK konstatoi edhe disa transaksione bankare në llogari të bashkëshortes së Islamajt në vlera me mijëra euro gjatë viteve 2005 deri në vitin 2009. Lidhur me këto shuma, gjyqtari Islamaj shpjegoi gjatë seancës dëgjimore se bashkëshortja e tij ishe e vetmja nga familja e saj që jetonte në atë periudhë në Shqipëri dhe se së bashku me vëllanë e saj kishte hapur edhe një llogari për ti ndihmuar ata për transferimin e parave. Nga analiza financiare konstatohet se Islamaj nuk justifikon asnjë pasuri, depozitë apo transaksion dhe se rezulton të ketë një balancë negative në vlerën -1.599 lekë. Tjetër mosdeklarim i konstatuar nga KPK ka qenë për mos pasqyrimi i një depozite 500 mijë lekë në vitin 2007 si edhe pakësimin e saj, pasi ka tërhequr disa herë gjendje cash deri në vitin 2010 dhe nuk e ka përdorur më. Për kriterin e figurës, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë për të vijuar detyrën, por subjekti nuk ka deklaruar se i është refuzuar viza amerikane, por për këtë nuk janë gjetur probleme, sipas KPK. Sipas Komisionit, gjyqtari analizon normën dhe vendimet e arsyetuara prej tij janë të kuptueshme, por nuk kujdeset për detajet. Për të nuk janë evidentuar probleme thelbësore për profesionalizimin, por identifikoi dy raste të mundshme të konfliktit të interesit.

Anita Jella para KPK

Ditën e sotme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të zhvillojë seancë dëgjimore për kryeprokuroren e Durrësit, Anita Jella. Kjo e fundit është njëkohësisht kandidate për në Prokurorinë e Posaçme. Kjo është seanca e dytë dëgjimore që zhvillohet për prokuroren, pasi e para u zhvillua më 4 tetor të këtij viti, por u shty për shkak disa gjetjeve të ONM-së. Relatorja e çështjes nuk bëri të ditur përmbajtjen e gjetjeve, por bëri të ditur se i ka pranuar ato. Subjekti i rivlerësimit pritet të hetohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Xhensila Pine, Etleda Çiftja, Valbona Sanxhaktari 

Ornela Çelpica

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here