Rrugëtimi i aktivitetit kinematografik “Netët e kinemasë Evropiane” la pas qytetin e Kuçovës për të vazhduar në Pukë. Puka njihet si qyteti alpin dhe mjaft mikpritës. Drejtues i këtij projekti kineasti Skënder Jaçe shprehet se pas më shumë se dy dekadash, ky qytet preku magjinë e kinemasë. “Qyteti i Pukës pas 25 vitesh mungesë preku magjinë e kinemasë në ekranin madh në aktivitetin kinematografik “Netët e kinemasë Evropiane””, thotë Jaçe. Por ky aktivitet pati dhe ndihmën e kryetarit të bashkisë së Pukës, që sipas kineastit Skënder Jaçe e priti më kënaqësi. “Kryetari i bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj, i apasionuar pas artit dhe kulturës e priti me kënaqësi zhvillimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm kinematografik. Ashtu si në shumë qytete të Shqipërisë ku mungon kinemaja edhe në qytetin e Pukës, ekrani i madh i kinemasë ishte një risi pas një mungese të gjatë për më shumë se 25 vite”, shton më tej kineasti Skënder Jaçe, për aktivitetin që u zhvillua në Qendrën Kulturore. Nata e parë iu kushtua kinemasë shqiptare me projeksionet e fundit për fëmijë dhe të rritur. Para dite kishte shfaqje filmash për shkollat e qytetit falas, duke i sjell gëzim fëmijëve dhe rinisë me ekranin e madh të kinemasë. Të ftuar special nuk munguan, si dhe performuan para ekranit të madh të kinemasë Eranda Libohova, Miranda Kullani, Kristina Ndoja etj. Edhe ky aktivitet në qytetin e Pukës u prezantua nga e mirënjohura Silvana Braçe, ku publiku për tre net rresht përjetoi bukurinë e kranit të madh. Duke folur për Pukën, kineasti Jaçe shprehet se vitet e fundit, ky qytet ka pësuar një ndryshim rrënjësor. “I rrethuar nga malet dhe në anë të tij gjen liqenin e bukur. Shquhet për ajrin e pastër dhe kurorat e pishave që ende janë të paprekura”, tregon ai. Para aktivitetit që u zhvillua në Kuçovë, kineasti Skënder Jaçe zhvilloi projektin “Open Cinema”, në muajin gusht në Tiranë, ku ishin të programuar 18 filma shqiptarë prodhime para dhe pas viteve ’90, si dhe filma të huaj. Më herët kineasti Skënder Jaçe ka pohuar se projekti gjithashtu nxit mendimin se kinemaja duhet të jetë prezente për publikun. “Ne kemi mbështetjen edhe nga QKK. Ne do të vijojmë me projektin tonë, sepse nxit mendimin se kinemaja në qytete duhet të jetë prezente se është pjesë e civilizimit shoqëror, këtë synim kemi në të gjithë Shqipërinë”, pohon kineasti Jaçe.