Me rastin e Ditës Botërore për Trashëgiminë Audiovizuale, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Qendrën Rinore në Tiranë organizuan aktivitetin “Ditë e Hapur në Arkivin e Filmit”. Një grup studentësh nga Universiteti i Arteve, vizitoi arkivin, duke pasur mundësinë të kuptojë nga afër pse ruajtja e trashëgimisë së filmit shqiptar është kaq e rëndësishme. AQSHF shkruan se moderuar nga specialistja me përvojë, znj. Eriona Vyshka, ky takim me arkivistët e filmit shërben për ti bërë artistët tanë të ardhshëm të interesuar për trashëgiminë tonë në film 35 mm, dhe për koleksionet e tjera artistike që lidhen me filmin. “Studentët e rinj do të kuptojnë pse duhet t’i ruajmë filmat e trashëgimisë dhe si t’i përdorin ato në punët e tyre krijuese”, shprehet AQSHF. Gjithashtu të rinjtë zhvilluan dhe një bisedë, me regjisorin Artur Dauti mbi filmin e animuar. Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992. Në fondin filmik të arkivit të filmit gjenden gjithashtu materiale arkivale të grumbulluara nga privatizimi i të gjithë filmave artistikë, dokumentarë dhe kronika të prodhimit të huaj, që nga shfaqjet e para luftës deri në përfundim të luftës së dytë botërore, të konsideruara plaçkë lufte. Materiale filmike të depozituara sipas ligjit të depozitës legale të ushtruar që në vitin 1945, kur sipas marrëveshjeve të reja shtetërore rifillojnë xhirimet e kineastëve të huaj. Koleksioni përbëhet edhe nga dorëzimi i një kopjeje të prodhimit të huaj të blerë nga distribucioni shtetëror, nga xhirime arkivale, si dhe nga shkëmbime të materialeve filmike me arkiva të tjera. Koleksioni i AQSHF vazhdon të pasurohet nga prodhimi kinematografik shqiptar dhe bashkëpunimet e huaja me kompanitë shqiptare private të prodhimit filmik, të cilat kanë filluar prej vitit 1992. Çdo prodhim kinematografik shqiptar i financuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike ka si detyrim ligjor, që vjen nga kontrata e financimit e lidhur mes kompanisë filmike dhe QKK, të depozitojë pranë AQSHF veprën filmike në 3 gjini, negativ, pozitiv, fonogramë.