Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të vendosin për fatin e krizës politike në Shqipëri. Prej 8 muajsh Shqipëria është përfshirë në një krizë politike, ku për rrjedhojë opozita e kryesuar nga Partia Demokratike bojkotoi Parlamentin, duke djegur mandatet, ndërsa refuzoi të merrte pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, duke ia dorëzuar të gjitha bashkitë Partisë Socialiste. Megjithatë, palët politike akuzojnë njëra-tjetrën si shkaktare të krizës, duke e hequr përgjegjësinë nga vetja. Nga njëra anë, është mazhoranca, e cila këmbëngul se vendi nuk është në krizë, ndërsa nga ana tjetër opozita joparlamentare, që kërkon zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nën kujdesen e një qeverie tranzitore. Por deri më tani asnjë nga palët nuk është tërhequr, ku e vetmja shpresë për zgjidhjen e krizës janë ndërkombëtarët. Ndihmën e këtyre të fundit si ndërmjetës, të cilët mund t’i japin fund krizës, e kanë apeluar shumë fort, të gjithë liderët e politikës, sidomos ata të opozitës joparlamnetare. Por duket se një gjë e tillë mund të bëhet realitet, me ndihmën e SHBA-ve. Gazeta ka mësuar se kryedemokrati Lulzim Basha brenda muajit pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Uashington, ku përveçse do takohet me zyrtarët të lartë, një fokus të veçantë do të ketë edhe kriza politike. Sipas informacioneve nga selia blu, Basha do të kërkojë nga amerikanët që ta mbështesin në kuzen e tij për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri, zgjedhje këto që do të frenonin thellimin e krizës politike dhe rikthimin e stabilitetit në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë fshehur asnjëherë faktin se janë një avokat i denjë i Shqipërisë. Rasti më i freskët u dëshmua vetëm pak ditët më parë, kur Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu keqardhjen që Franca “minoi” integrimin europian të Shqipërisë, ndërsa iu bërë apel vendeve të Bashkimit Europian që t’i çelin sa më parë negociatat me Shqipërinë, madje edhe me Maqedoninë e Veriut. Kështu që, duke qenë se për SHBA-të, Shqipëria është një vend strategjik, mësohet se ato do të hidhen në veprim, duke bërë ndërmjetësin mes palëve, që t’i japin fund krizës politike në Shqipëri.
Në fokus të vizitës, zgjedhjet e parakohshme
Sipas informacioneve të gazetës, mësohet se në të gjitha takimet që kryedemokrati Lulzim Basha do të ketë në Uashington, zgjedhjet e parakohshme do të jenë kryefjala e diskutimeve. Madje, ndryshe nga sa është trumbetuar ditët e fundit, vizita e Bashës në Shtetet e Bashkuara nuk është për shkak të hetimeve për lobimin rus, pasi në SHBA kjo çështje tanimë është mbyllur dhe se kreu i PD nuk ka shkelur ligjet. Ndërkohë që, i vetmi hetim për të është në Shqipëri, duke qenë se ai nuk ka deklaruar burimin e financimeve. Pra, vizita e Bashës në Amerikë përkon me kohën kur si Partia Demokratike, ashtu edhe Partia Socialiste kanë mobilizuar strukturat e partisë, duke i hedhur në veprim, sikur zgjedhjet të zhvilloheshin nesër. Nga ana tjetër, gazeta ka mësuar se në takimet që Basha do të zhvillojë në Uashington, çështja e presidentit Ilir Meta nuk do të diskutohet fare. Mësohet se çështja “Meta” është lojë e ndërkombëtarëve dhe se mazhoranca tanimë është e vendosur për t’i shkuar deri në fund shkarkimit të kreu të shtetit nga detyra. Kështu që, sipas burimeve gjasat janë që zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme të bëhen vitin tjetër, pasi strategjia është që presidenti Ilir Meta të jetë shkarkuar nga detyra dhe të mos jetë më në krye të shtetit. Megjithatë, ndryshe nga opozita joparlamentare, mësohet se mazhoranca nëse i bindet Uashingtonit për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, nuk do të negociojë çështjen e zgjedhjeve lokale, pasi ato tanimë i ka legjitimuar edhe Komisioni i Venecias. Pra, do të jetë SHBA, ajo që do të vulos fatin e krizës politike në Shqipëri, sikundër janë ndërmjetësimi i palëve për zgjedhje të parakohshme.
Rigels Seliman