Miratohet buxheti faktik dhe Korporata e Investimeve, ja si ndryshojnë të ardhurat dhe si do të administrohen pronat shtetërore

0
395

Parlamenti ka miratuar dje buxhetin faktik 2018 dhe ligjin për Korporatën e Investimeve. Pas shumë debatesh dhe diskutimesh, mazhoranca kaloi e vetme ligjet. Me 79 vota pro, 20 vota kundër dhe 3 abstenim, Kuvendi i Shqipërisë arriti të miratojë buxhetin faktik për vitin 2018. Gjithashtu gjatë mbledhjes së Kuvendit u diskutua edhe për mënyrën se si do të administrohen dhe nga kush do të administrohen pronat e shtetit. Referuar këtij shqetësimi, Parlamenti miratoi projektligjin për Korporatën e Investimeve Shqiptare. Kjo korporatë është një institucion i ri që do të krijohet me detyrë të menaxhimit të pronave të shtetit. E sjellë si një shoqëri tregtare, me pronar shtetin, në këtë korporatë do të zotërojnë aksione dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit. Objekti i veprimtarisë së Korporatës është sipas rastit, hartimi, analizimi, koordinimi, menaxhimi, përfaqësimi, financimi, zbatimi dhe mbikëqyrja e projekteve. Korporata e Investimeve Shqiptare do të identifikojë prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi dhe do ti propozojë Këshillit të Ministrave, transferimin e tyre tek Korporata. Pra, e drejta për pronësi si dhe për përdorimin e këtyre pronave shtetërore do të transferohet nga pushteti qendror ose vendor tek Korporata. Për zhvillimin dhe zbatimin e një projekti investimi, Korporata mund të mbështetet nga shteti me infrastrukturë ndihmëse, të tilla si: rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion. Pas një sërë diskutimesh e përplasjesh mes deputetëve, projektligji për Korporatën e Investimeve Shqiptare u miratua me 77 vota pro, 19 deputetë votuan kundër dhe tre 3 abstenim. Drafti i miratuar dje në Parlament u ndryshua dhe reflektua pas kritikave të Bankës Botërore dhe FMN-së lidhur me prokurimet, duke marrë miratimin e Komisionit Europian. Ligji u ndryshua rrënjësisht duke qartësuar se për projektet me partnerë ndërkombëtarë do të zbatohen rregullat e tyre të prokurimeve, ndërsa për ato me financim të brendshëm do të zbatohet ligji shqiptar. Ja të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit faktik 2018Dje u miratua dhe buxheti faktik, ku sipas dokumentit të Ministrisë së Financave, të ardhurat kanë kapur vlerën 449.5 miliardë lekë, ose 19.1 miliardë lekë më shumë se viti 2017. Ky rezultat u regjistrua fal rritjes së punësimit, aktivitetit të biznesit privat dhe rritjes së konsumit të brendshëm; si edhe si rezultat i përmirësimit të performancës së mbledhjes së të ardhurave në kuadër të reformës së konsolidimit të financave publike. Sipas raportit të ardhurat nga Fondet Speciale rezultuan 93.2 miliardë lekë, me një realizim ndaj planit fillestar në nivelin 105.8 për qind, ose 5.1 miliardë lekë më shumë dhe 6.4 miliardë lekë, apo 7.3 për qind më shumë se sa një vit më parë. Zërat që përbëjnë të ardhurat nga “Fondet Speciale” janë: Sigurimi Shoqëror, Sigurimi Shëndetësor dhe të ardhurat për kompensimin në vlerë të pronarëve, përkatësisht në vlerën 79.4 miliardë lekë, 12.4 miliardë lekë dhe 1.3 miliardë lekë. Referuar shpenzimeve për papunësinë, vlera e arritur regjistroi një indeks në ulje për vitin 2018, rezultojnë me masën 2.9 për qind, ose 10 milion lekë më pak në terma nominalë. Shpenzimet për Ndihmën Ekonomike dhe Pagesën e Paaftësisë (PAK) për vitin 2018 rezultojnë me një ulje në masën 0.2 për qind ose 43 milionë lekë më pak në terma nominalë. Kurse kompensimi për ish-të përndjekurit politikë u realizua në masën 49.9 për qind të planit vjetor fillestar, rreth 1.3 miliardë lekë më pak në terma nominal. Esmeralda Hida

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here