Kryeministri i vendit Edi Rama ka mbërritur ditën e djeshme në Novi Sad të Serbisë, ku do zhvillojë një takim me presidentin serb Alexandar Vucic dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Takimi do të zgjasë dy ditë dhe në përfundim të këtij takimi pritet që të tre liderët të nënshkruajnë një marrëveshje për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, që është cilësuar edhe si një mini Shengen ballkanik. Ndërkohë, sot do të mbahen takimet për miratimin e detajeve të fundit të marrëveshjes, qënisin që herët në mëngjes, ndërsa gjatë drekës të tre liderët do të mbajnë edhe një konferencë për mediat. Marrëveshja është kundërshtuar vazhdimisht nga Kosova, pasi ajo nuk është pjesë e marrëveshjes. Kosova po ashtu është kundër pasi e konsideron atë si një rikthim të ish-Jugosllavisë, edhe pse kjo është një nismë e mbështetur nga institucionet europiane që e shohin si një fazë të ndërmjetme para integrimit europian të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, tha në një intervistë për mediat pak ditë më parë, se nuk mund të ketë Mini Shengen ballkanik pa Kosovën. “E them ekskluzivisht për ju që këto gjëra janë diskutuar në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, por unë them se nëse ndodh Mini-Shengeni, atëherë do të jenë të gjitha vendet, pa përjashtim. Edhe po deshi një vend të përjashtojë një vend tjetër, kjo nuk mund të ndodhë. Të jeni të sigurt”, u shpreh ambasadori i Kosovës në Shqipëri. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York, u përqendrua në bashkëpunimin rajonal në Ballkan. Vuçiç përmendi në fjalimin e tij investimet në infrastrukturë, të cilat tregojnë angazhimin e Serbisë për fqinjësi të mirë me vendet e tjera ballkanike. “Kam patur një takim të rëndësishëm me kryeministrin e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë. Jemi pajtuar që të punojmë për veten tonë dhe rajonin tonë, për një treg të përbashkët. Ndoshta është diçka revolucionare, por popujt e Ballkanit nuk mund t’i shërbejnë vetëm të tjerëve pasi mund të bëjnë gjëra të mrekullueshme për veten e tyre”, ka thënë gjatë fjalimit në OKB presidenti serb.










































