Gjyqtari Sotiraq Lubonja, nuk i shpëtoi as Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pasi nuk arriti të justifikojë pasurinë. Vendimi për Lubonjën u mor dje, në mënyrë unanime nga trupa gjykuese dhe ka efekt të menjëhershëm. Trupa gjykuese e KPA-së la në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të marrë më 8 tetor të 2018, për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Korçë, në atë kohë edhe kandidat për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Gjyqtari Lubonja, vendimin e KPK-së e ankimoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Referuar relacionit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, raporti i ILDKPI-së për këtë gjyqtar kishte konstatuar fshehje të pasurisë, mosdeklarim në deklarimet e tij në kuadër të vetingut. Sipas KPK, gjyqtari kishte deklaruar shtëpi banimi me sipërfaqe 61 m2 në Korçë, por nuk kishte deklaruar shtesat pa leje, që sipas Komisionit i kishin kushtuar 6.37 milionë lekë dhe për të cilat, gjyqtari Lubonja nuk kishte burime të mjaftueshme. Sotiraq Lubonja, gjithashtu kishte deklaruar pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, se ka marrë katër milionë lekë të reja dhuratë nga nëna e tij, të kursyera nga pensioni i saj si dhe 25 mijë dollarë nga vjehrri. Një llogari bankare prej pesë mijë e pesëqind dollarë është hapur në emër të djemve të tij, qëLubonja i justifikoi si dhuratë nga gjyshi. Komisioni, gjithashtu shprehu rezerva për pasurinë e Lubonjës, pasi nuk ka dokumente justifikuese për dhuratat e marra në shuma të konsiderueshme monetare. KPK konstatoi mospërputhje nga deklarimet për banesën dy katëshe me vlerë 2.5 mln lekë.
Ema Gashi i shpëton vetingut
Ema Gashi, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe motra e ish-prokurores Rovena Gashi, i shpëtoi vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri me dije dje ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, Ema Gashi, për shkak se Ema Gashi dha dorëheqjen në maj. Ky vendim nga ana e gjyqtares Ema Gashi, u mor pasi prokurorja Rovena Gashi kërkoi para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të mbrohet nga motra e saj, Ema Gashi. Kjo kërkesë u rrëzua nga trupa gjykuese e Kolegjit, duke iu referuar Kodit të Procedurës Civile, që një gjyqtar ose një prokuror nuk mund të jenë përfaqësues palësh. Në takimin e radhës, Rovena Gashi duke këmbëngulur për t’u mbrojtur nga motra e saj, dorëzoi pranë trupës gjykuese të KPA dorëheqjen e Ema Gashit, dhe duke kërkuar sërish të mbrohet nga kjo e fundit. Por, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ia rrëzoi sërish kërkesën, duke sqaruar se Ema Gashi vazhdonte ta gëzonte ende statusin e magjistratit, të paktën deri më 30 qershor 2019, ndërkohë që KLGJ do të duhej të shprehej për dorëheqjen e saj deri në 14 korrik 2019.
Vendimi i KPK
Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, bazuar në Kushtetutë, ka vendosur ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, për shkak të dorëheqjes së Ema Gashit. “KPK vendosi të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, znj. Ema Gashi. Ndalimin e emërimit të znj. Ema Gashi si gjyqtare ose prokurore e çdo niveli, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektore e Lartë e Drejtësisë ose Prokurore e Përgjithshme, për një periudhë 15-vjeçare. Ky vendim u njoftohet, subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit, në përputhje me pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të tij dhe duhet të dorëzohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit”, thuhet në vendim.
Ornela Çelpica










































