Google search engine
Home Politike Balla i vendosur për shkarkimin e Metës: Kur flet Venecia të gjithë...

Balla i vendosur për shkarkimin e Metës: Kur flet Venecia të gjithë heshtin, ata që premtojnë dorëheqje të mbajnë fjalën

0
273

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka shpërthyer dje në akuza të forta ndaj presidentit Ilir Meta dhe Lëvizjes Socialistë për Integrim, sa i takon sulmeve ndaj Komisionit të Venecias. Balla ka deklaruar dje në një prononcim për mediat, se presidenti Ilir Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën, pasi iu ka hequr të drejtën qytetarëve për të zgjedhur me anulimin e 30 qershorit. Balla pati edhe një apel për gjithë kritikët e Venecias, teksa tha se kur ky komisioni flet, të gjithë duhet të heshtin, duke iu referuar presidentit. “Kërkesa jonë flet për një shkelje të rëndë të Kushtetutës, sepse kush i heq të drejtën popullit për të zgjedhur, shkel rëndë Kushtetutën. Kam dëgjuar një lumë kritikash përkundrejt Komisionit të Venecias dhe dua t’i them kujtdo, madje dhe ndonjërit që fjalën shkollëpak e përdor shumë, që Komisioni i Venecias është organi, ekspertiza, e gjithëpranuar jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, dhe që kur ky komision flet, gjithë të tjerët duhet të heshtin”, është shprehur dje Balla. Ndër të tjera Balla ka vendosur theksin tek Komisioni i Venecias dhe meritat që ka ai sa i përket Kushtetutës në Shqipëri, ku u shpreh se Komisioni i Venecias ka meritë në bërjen e Kushtetutës së Shqipërisë, pasi Kushtetuta që kemi sot, ka marrë dhe ka qenë pjesë e një procesi ekspertize të dhënë nga vetë Venecia. Duke u shprehur kështu, Balla i ka dhënë një përgjigje presidentit Meta, i cili në deklaratat e tij ka sulmuar komisionerët e Venecias duke i quajtur edhe të çmendur, po ashtu ka thënë se ata i kanë kaluar kompetencat e tyre. “Komisioni i Venecias ka meritë të veçantë në historinë e shtet-bërjes të Kushtetutës së Shqipërisë. Kjo Kushtetutë që kemi, ka marrë dhe ka qenë pjesë e një procesi ekspertize të dhënë nga Venecia. Dua që të gjithë ta presin me respekt verdiktin e Venecias dhe pastaj kush u zotua që do mbajë fjalën, ta mbajë”, ka deklaruar numri dy i PS. Balla vendosi theksin tek Komisioni i Venecias, ku tha se është organi dhe ekspertiza më e pranuar në të gjithë Europën e jo vetëm në Shqipëri, e kësisoj i ka dërguar mesazhin Metës, i cili nga frika e shkarkimit sulmon vazhdimisht Komisionin e Venecias. “Jam një prej palëve të ftuar në Komisionin e Venecias për të sjellë këndvështrimin tonë. Dua të ndaj me ju që edhe ne kemi bërë disa komente të bazuara në raportin paraprak, që padyshim janë pjesë e procedurës strikte të Komisionit të Venecias”, tha Balla.

Sulmet e Metës

Presidenti Ilir Meta ka hedhur akuza të rënda ndaj Komisionit të Venecias në një bashkëbisedim që ka mbajtur me studentët. Ndër të tjera ai sulmoi edhe qeverinë, ku tha se qeveria e kryeministrit Edi Rama ka bërë 38 shkelje nga viti 2013 deri në vitin 2016 të konstatuara nga Gjykata Kushtetuese. Këtyre akuzave Balla iu përgjigj një ditë më vonë, duke treguar rëndësinë që ka Komisioni i Venecias në historinë e Kushtetutës së Shqipërisë. “Se keni dëgjuar ju që thonë për mua sikur kam shkelur Kushtetutën. Kurrë mos e besoni. Që ta dini ju qeveria e mikut tim Edi, nga 2013 që ka pasur Gjykatë Kushtetuese deri në 2016 ka 38 shkelje të Kushtetutës me vendime, me ligjet që ka bërë që i ka nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë një shkelje si kjo që do ju them unë tani dhe që askush nuk e beson që vjen nga një sistem demokratik është kjo: Neni 155 i Kushtetutës thotë që lidhur me politikën e taksave asnjë ndryshim nuk mund të ketë efekt retrospektiv, prapaveprues. Pra ti mund ta ndryshosh taksën sot, çdo lloj takse nga 20% në 10%, por kjo do të ketë efekt për të ardhmen, kjo nuk mund të ketë efekt për të kaluarën”, ka deklaruar Meta.

Arbjona ÇIBUKU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here