Të gjithë politikanët e korruptuar kanë filluar të alarmohen. Reforma në drejtësi ka krijuar panik tek çdo zyrtar që është përfshirë në afera korruptive, sepse e di që rrezikohet nga organet që do të ngrihen së shpejti: Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Duke qenë se nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion na ndajnë vetëm pak ditë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë paralelisht ka nisur punën edhe për konstituimin e BKH. Sipas ligjit, ngritja e Byrosë së Hetimit varet nga Prokuroria e Posaçme sepse kjo e fundit do të vendosë për drejtorin e BKH. Meqenëse SPAK është pranë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka nisur procedurat për ngritjen e BKH. Përmes një njoftimi për mediat, KLP bën të ditur se procedurat do të nisin me emërimin e drejtorit të BKH. “Duke pasur parasysh ritmin me të cilin po ecën Procesi i Vetingut në sistemin e drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (Këshilli), shumë shpejt, do të njoftojë krijimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Menjëherë pas këtij çasti Këshilli do të emërojë Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme. Pas emërimit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme do të fillojë procesi për përzgjedhjen e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Ata që janë të interesuar për të aplikuar për pozicionin e Drejtorit të BKH-së duhet t’i referohen ligjit “ Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” (Ligji për SPAK-un), 2016”, thuhet në njoftimin e KLP.
60 hetues për të zbuluar aferat
Fati i pushtetarëve të korruptuar do të jetë në duart e 15 prokurorëve të SPAK, por edhe në duart e 60 hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. BKH do të funksionojë si polici gjyqësore që asiston prokurorët në punën e tyre dhe do të ketë në dorë ngarkesën më të madhe të hetimeve. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e aferave të zyrtarëve shqiptarë të përfshirë në afera do të zbulohen nga 60 oficerët e BKH. Fakti që Byroja e Hetimit do të ketë pjesë të sajën 60 hetues e ka bërë të ditur KLP në njoftim. Aty përcaktohen edhe kriteret minimale që duhet të plotësohen nga kandidatët që duan të jenë pjesë e BKH. “Neni 34, i Ligjit për SPAK-un, liston kriteret minimale që duhet të plotësohen nga kandidatët, ku përfshihet përvoja në punë, arsimimi, dhe sjellja në të shkuarën. BKH do të ketë në përbërje 60 hetues. Aplikantët për pozicionin e drejtorit dhe hetuesit të BKH-së duhet të dinë që procesi i përzgjedhjes do të jetë shumë rigoroz dhe sfidues. Ai është përcaktuar në Ligjin për SPAK-un dhe do të vlerësojë aftësitë profesionale, integritetin si dhe aftësitë mendore e fizike të aplikantëve. Kandidatët do të plotësojnë një formular aplikimi online dhe Deklaratën e Kontrollit të Pasurisë dhe të Kontrollit të Figurës, sipas Neneve 6(3), 6(4) dhe 38(2) & (3), në ligjin për SPAK-un. Vetëm ata aplikantë që plotësojnë këta formularë dhe plotësojnë kriteret bazë do të ftohen për të marrë pjesë në hapat e mëposhtëm të përzgjedhjes”, vijon më tej njoftimi i KLP.
Trajnimet nga FBI amerikane
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të trajnohen nga FBI amerikane me qëllim që të specializohen dhe të godasin me sukses rastet e korrupsionit. Pak ditë më parë gazeta tregoi sesi trajnimi i tyre do të kryhet tek Akademia e FBI në Virxhinia. Ata do të trajnohen për të shmangur ndikimin e organizatave kriminale në radhët e policisë dhe hetuesve, për të gjurmuar korrupsionin dhe pastrimin e parave dhe shumë vepra të tjera penale që hetohen nga SPAK. Kjo do të thotë se laku për të korruptuarit po ngushtohet dhe nuk ja hedhin dot më paq.
Mimoza Ibra