Drama “Xhelatët” me aktorë të njohur, çel sezonin artistik të Teatrit Kombëtar

    0
    558

    Drama “Xhelatët” produksioni më i ri i Teatrit Kombëtar pritet të jetë së shpejti në skenën te “ArTurbina”. Premiera me regji nga Qëndrim Rijani çel dhe sezonin artistik të Teatrit Kombëtar. Shkruar nga autorit Martin McDonagh, “Xhelatët” vjen në skenë me aktorët e njohur të skenës së teatrit në vendit. Vepra teatrore “Xhelatët” trajton temën e dënimit me varje. Historia zhvillohet në Anglinë e viteve 1965. Regjisori Rijani pohon se “Xhelatët” është një vepër, që përveç faktit që ka rrëmbyer çmime dhe është një pjesë e re, shumë shpejt po bëhet pjesë e teatrove më të mira të botës. “Është edhe tepër aktuale, në raport me temën që trajton. Gjithashtu një ndër motivet është edhe lloji i teatrit, që ofron si vepër”, pohon regjisori Rijani. Vepra është përkthyer nga Artur Lena dhe në skenë ajo interpretohet nga aktorë të njohur si Lulzim Zeqja, Arben Derhemi, Donald Shehu , Florian Agalliu, Adelina Muca, Sokol Angjeli, Genci Fuga, Hervin Culi, Genti Deçka, Ardian Cerga, Xhuliano Brisku, Myzafer Zifla, Ina Konomi Gjonci, Altea Lazaj. Në skenë regjisori ka zgjedhur aktorë të njohur, por për rolin e Shirlit në teatër janë zhvilluar edhe audicione. Skenografia dhe kostumografia vijën nga Berina Kokona dhe muzika është shkruar nga kompozitori Fatos Lumani. Veprat e autorit Martin McDonagh janë shfaqur dhe më parë në skenat e teatrit tonë. Por sa i takon dramës “Xhelatët” ajo është shkruar këto vitet e fundit dhe në vetvete sipas regjisorit Qëndrim Rijani përmban dhe një aktualitet me vendin tonë vite më parë në kohën e komunizmit. Martin McDonagh është dramaturg, skenarist, producent dhe regjisor. Ai është ndër dramaturgët më të mirënjohur irlandezë, fitues i Academy Award për filmin e shkurtër më të mirë, kandidat për tre Academy Awards të tjera, fitues i tre çmimeve BAFTA në 2018 dhe dy çmimeve Golden Globe për filmin e tij “Three Billboards Outside Ebbing, Misuri”. Në teatër është i njohur me “Trilogjinë Leenane”, “Trilogjinë e ishujve Aran”, si dhe veprat “A Behanding in Spokane”, “Hangmen” (Xhelatët) dhe “A Very Very Very Dark Matter”.

    Aktiviteti i regjisorit

    Regjisori Qëndrim Rijani sjell premierë së shenjti dramën “Xhelatët”, por me aktivitetin e tij në teatër është një nga emrat e vlerësuar. Rijani ka lindur në qytetin e Kërçovës, Maqedoni. Është diplomuar për Regji- Teatri në Universitetin e Arteve,Tiranë, ku ka kryer edhe studimet master në degën Regji -Teatri dhe Spektakli. Aktualisht punon si regjisor i brendshëm pranë Teatrit Shqiptar Shkup dhe si lektor i ftuar në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe në Tetovë. Deri më tani ka realizuar rreth trembëdhjetë shfaqje profesionale në teatro të ndryshëm kombëtarë dhe lokalë: “Ne vijmë për Ajër” (Skot O’Mor), “Kapitulli i Dytë” (Neil Simon), “Gjymtimi” (Martin Mcdonagh), “Doktor Shuster” (Dushan Kovacevic), “Art” (Yasmina Reza), “Gënjeshtër Pas Gënjeshtre” (Anthony Nelson), “Ushtria e Ui Tomasit” (Martin Mcdonagh), “Shtëpia e Bernarda Albws” (Federico Garcia Lorca), “Darka e Thërrimeve” (Refet Abazi), “39 Hapat” (Alfred Hitchcock), “Gratë” (Robert Thomas), “Roberto Xuko” (Bernard Marie Kolltez), “Në Det” (Slawomir Mrozhek), ” Jashtë bie borë” ( Vincenzo Salemme), me të cilat ka qenë pjesëmarrës në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Me aktivitetin tij në teatër si regjisor Qëndrim Rijani numëron shtatë çmime, përfshirë çmimet si “Regjisori i vitit” në Maqedoni dhe “Regjia e vitit” në Shqipëri.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here