Një lajm që ka shkaktuar jo pak polemika në Zvicër është refuzimi që Xherdan Shaqiri i ka bërë ftesës së Vladimir Petkoviç për t’u bashkuar me kombëtaren gjatë ndeshjeve të muajit shtator.
Futbollisti ka nxjerë si pretekst arsyen se donte të stërvitej me klubin e tij, Liverpoolin, për të zënë një vend titullari, por mediat zviceriane kanë dhënë një tjetër version.
Sipas prestigjozes “Blick” gjithçka lidhet me një hatërmbetje ndaj trajnerit Petkoviç pasi ky i fundit, i ka dhënë shiritin e kapitenit Granit Xhakës.
Në Botëror, ai caktoi kapiten të parë Lishtajnerin, të dytë Behramin dhe të tretë Xhakën. Tani që dy të parët mungojnë, shiritin e ka marrë pikërisht, Granit Xhaka.
Edhe pse Shaqiri e ka shok Xhakën dhe shkojnë mjaft mirë bashkë, ai sërish e ka lakmuar shiritin e kapitenit te Zvicra dhe ka dashur që ta marrë ai në krah.
Ai mësohet të jetë shprehur:
Po sikur Kosova të më dojë si kapiten? Të gjithë duan të jenë kapitenë. Unë jam në krye të hierarkisë. Do të duhej t’isha me kapitenët. Unë jam padyshim i zhgënjyer”.
Pikërisht, për këtë ftohje, ka ardhur edhe refuzimi i ftesës, i cili momentalisht kaloi pa shumë zhurmë, por më vonë ndoshta pritet të ketë pasoja serioze për Xherdan Shaqirin.