Kolegji i Posaçëm i Apelimit pritet ta fillojë me vrull punën në shtator. Në faqen zyrtare të KPA janë të renditura një sërë çështjesh, të cilat presin një përgjigje nga trupa gjykuese. Midis tyre mund të përmendim dosjen e kryeprokurores së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Ajo përfundoi në KPA pas ankimimit që bëri Komisioneri Publik ndaj saj. Sipas Komisionerit, Prela nuk e justifikon pasurinë dhe duhet të shkarkohet. Mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë trupa gjykuese, por duhet të theksohet se deri më tani, çdo ankimim i Komisionerit Publik është pranuar dhe në fund janë rrëzuar vendimet e dyshimta të konfirmimit të dhëna nga Komisioneri Publik. Donika Prela është një ndër emrat e njohur, vendimi për të cilën nuk i bindi njerëzit. Në të njëjtën situatë kaluan edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, sot të shkarkuar nga KPA pasi u vu në lëvizje nga Komisioneri Publik. Një tjetër çështje që pret vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është ajo e Besnik Canit. Cani është anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Por Komisioneri Publik kërkon rrëzimin e këtij vendimi dhe përjashtimin e Canit për 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Kujtojmë që vetëm pak ditë më parë u shkarkua një anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gentjan Osmani, ndërsa më parë është përjashtuar edhe Antoneta Sevdari. Në listën e pritjes është edhe ish-kryetari i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Fehmi Petku. Ky i fundit është i shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por kërkon rikthimin në detyrë. Gjatë seancës dëgjimore që mbajti KPK para pak kohësh, Petkut iu gjetën një sërë problemesh me pasurinë, por edhe lidhje me kompaninë “Vefa Holding”. KPA duhet të shprehet me vendim edhe për Pashk Gjacin, Petrit Çenon, Arqile Koçën, etj., të cilët kanë trokitur aty për t’u rikthyer në punë.