Skënderbeu nuk ka ndërmend të dorëzohet, pavarësisht se UEFA dhe Gjykata Sportive e Lozanës e kanë klasifikuar si skuadër të përfshirë në trukime ndeshjesh dhe e kanë penalizuar me 10 vjet pezullim në kompeticionet europiane e mund të pësojë një ndëshkim edhe nga FSHF-ja. Por skuadra korçare vijon të shkëlqejë në kampionat, madje po jep shenja që tani se mund të sfidojë rivalët për titull për trofeun kryesor të sezonit. Fitoi ndeshjen e parë të garës ndaj Flamurtarit dhe dje siguroi një tjetër trepikësh në Kurbin, përballë Laçit, duke u konfirmuar si skuadër pretendente, paçka se kampionati është ende në hapat e parë. E thënë ndryshe, u ndërtua rishtazi dhe mes shumë dilemash, por pas fitores “in extremis” në javën e parë përballë Flamurtarit, Skënderbeu arriti të befasojë sot në Laç, duke triumfuar me përmbysje me rezultatin 1-2. Vendasit e Sulejman Starovës vinin pas humbjes me një ndeshje shumë të dobët në Shkodër ndaj Vllaznisë dhe e nisën vrullshëm takimin e sotëm, duke dominuar pjesën e parë dhe gjetur golin e avantazhit me anë të sulmuesit Kyrian Neabueze. Megjithatë korçarët ndryshuan shumë në lojën e tyre në pjesën e dytë dhe arritën të rikthejnë baraspeshën në minutën e 48-të, pas një goli mjaft të bukur të shënuar nga sulmuesi i talentuar Dejvi Bregu. Të besuarit e Dajës nuk u mjaftuan me kaq dhe në minutën e 66-të arritën të gjejnë golin e avantazhit me anë të sulmuesit Oto Xhohn, i cili u aktivizua vetëm në pjesën e dytë të takimit, ndërsa rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund të takimit. Gjetën fitoren e parë në kampionat edhe kampionët në fuqi të Superiores, “të kuqtë” e Partizanit, që arritën të triumfojnë me rezultatin minimal 0-1 në Gjirokastër përballë Luftëtarit vendas. Një gol i shënuar nga Bruno Telushi në minutën e 15-të të takimit, bëri që kryeqytetasit të dilnin me 3 pikë nga transferta gjirokastrite, ndonëse në letër kjo sfidë pritej të ishte shumë më e letër për “demat e kuq”. Përfundoi në barazim pa gola sfida mes debutuesve të Superiores, Bylisit dhe Vllaznisë, rezultat ky që u shkon më shumë përshtat shkodranëve, që largohen me një pikë mjaft të vlefshme nga transferta mallakastriote. Një pikë që i kënaq të dyja skuadrat për mënyrën se si rrodhi ndeshja, por më të fituar nga barazimi dalin shkodranët, që në dy ndeshjet e para të garës marrin 4 pikë dhe ky është padyshim një start i mirë për kuqeblutë.
Telushi: S’jam gjeneral, por ushtar i devotshëm i Partizanit
Një nga futbollistët më në zë të Partizanit, me pseudonimin mjaft domethënës “ushtari”, mesfushori i spikatur Bruno Telushi, foli për mediat dje pasdite dhe komentoi fitoren 1-0 të të kuqve në Gjirokastër, përballë Luftëtarit vendas, duke qenë vetë protagonist i trepikëshit. Pra, Telushi shihet nga shumëkush si një lider te Partizani, por mesfushori mendon se ai mbetet “ushtari” i zakonshëm në radhët e kësaj skuadre. Pas ndeshjes, duke folur për “SuperSport”, ai deklaroi se ishte çudi që edhe ky kampionat filloi si vitin e kaluar. “Kampionati ka nisur si vjet, që humbëm me penallti në Korçë e pastaj fituam në Kamzë ku shënova unë. Edhe sivjet njëlloj. Për golin e sotëm mund ta quaj gol të thjeshtë që i dha tre pikët ekipit dhe ndjehem mjaft mirë në këtë pjesë. Kemi bërë shumë ndryshime në ekip dhe skema është e re dhe do pak kohën e vet të gjejnë të gjithë lojtarët formën më të mirë. Kalova një dëmtim jo të lehtë dhe po rritem nga ana fizike dhe shpresoj që ata që kanë ardhur të vijnë në formën e tyre më të mirë, që ekipi të rritet më shumë. Kush të shënojë më shumë nuk është problem. Më e rëndësishmja është të shënojnë këta çunat e rinj që të kenë mundësi për të rritur që të bëjnë një hap më lart. Shumë veta më thonë komandant por dua të rri te pjesa e ushtarit që më pëlqen më shumë”, tha Telushi.
Adriatik BALLA