Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur detaje nga themelimi i Partisë Demokratike. Sipas disa shkrimeve, jepen detaje nga organizimi i studentëve, ndërsa jepet dhe një prononcim i Gramoz Pashkos. Po ashtu tregohet dhe presioni i komunistëve.
Opozita e Shqipërisë nuk arrin të lëshojë rrënjë
21 dhjetor 1990
Dhoma e rrëmujshme që shërben si selia e partisë së parë të opozitës së Shqipërisë të kujton operacionet e improvizuara që sollën revolucionin e vitit të kaluar në Evropën Lindore. Por mbrojtësit e rinj të demokracisë në bastionin e fundit stalisinist të Lindjes kanë një detyrë të vështirë në përmbysjen e 46 viteve rend të ashpër komunist. Por gjithsesi ata që sillen rreth Partisë së re Demokratike të Shqipërisë në qytetin Studenti, nuk duken të merakosur për këtë.
Një makineri primitive fotokopjesh mezi nxjerr fletët e programit të partisë, ndërsa një grua e nxituar nxjerr një tjetër dokument në një makinë të vjetër shkrimi. Tre karrige të vjetra të drunjta janë lënë për vizitorët. Një slogan në murin kryesor jep një ndjesi urgjence: “Liri, demokraci. Kemi nevojë për to tani.”
Shumë njerëz janë skeptikë
Themeluesit e partisë hyjnë e dalin nën shikimet kurioze të spektatorëve, shumica e të cilëve ende nuk e besojnë se një parti kundër Partisë së Punës është krijuar në Shqipëri. Gramoz Pashko, ekonomisti i Universitetit të Tiranës ka ndihmuar në krijimin e partisë dhe thotë se kurioziteti i njerëzve është një nga problemet e shumta me të cilat përballet partia. “Këta njerëz janë arsimuar nën diktaturë. Ne kemi një psikologji që duhet të shkosh te dikush që njeh, të trokasësh në derëdhe problemi të zgjidhet”, thotë Pashko duke shtuar se njerëzit kanë nisur të vijnë me problemet e tyre dhe kërkojnë ndihmë. Në 10 ditët pas protestave në fjetoret e mjeruara të qytetit Studenti, që u kthyen në kërkesë për demokraci, opozita e re shqiptare po has shumë pengesa. Më e madhja prej tyre është Partia Komuniste Shqiptare. Një muaj më parë Presidenti Ramiz Alia, pretendonte se nuk është nevoja për pluralizëm politik në Shqipëri, por tani thotë se është i pakundërshtueshëm vendimi për të lejuar krijimin e partive të tjera. Gjithsesi Pashko tha se zyrtarët komunistë vazhdojnë të pengojnë udhëtimin e anëtarëve të Partisë Demokratike drejt provincave të tjera për të përhapur mesazhin e partisë.
Kapja komuniste e shtypit
Opozita përballet gjithashtu me mbështetjen e gjerë të shtypit ndaj komunistëve. Edhe pse gazeta komuniste kryesore ‘Zëri i Popullit’, raportoi sot për regjistrimin e partisë opozitare, nuk dha asnjë informacion për programin apo udhëheqësit e saj. Prandaj demokratët po kërkojnë krijimin e gazetës së tyre që do të quhet “Rilindja Demokratike”. Komunistët po rezistojnë me të gjitha mënyrat, duke shtypur me forcë protestat në katër qytete javën e shkuar me anë të policisë dhe të ushtrisë, si dhe duke dhënë dënime deri në 20 vjet burg për disa të arrestuar. Sot u raportua se e veja e diktatorit Nexhmije Hoxha, humbi postin e saj politik në krye të organizatës së gjerë Fronti Demokratik, duke treguar se Alia po vazhdon lëvizjet kundër konservatorëve. Të mërkurën komunistët mbajnë një takim të rëndësishëm, ku pritet të njoftojnë rotacionin e premtuar në qeveri, që prej protestës së studentëve. Ata do të publikojnë gjithashtu programin e Partisë Komuniste, ndërsa zëdhënësi i Partisë Demokratike Genc Pollo tha se pritet që komunistët të vijojnë drejt lëvizjeve demokratike. Por opozita është përballur dhe me kërcënime dhune. Gjatë shpërthimit të protestave në qytetet e Shkodrës, Elbasan, Durrës e Kavajë javën e shkuar Pashko dhe anëtarë të tjerë të partisë së tij iu bashkuan komunistëve për të dënuar “huliganët” që ishin përgjegjës. Ky qëndrim ngriti dyshime pasi shumë nga intelektualët në partinë demokratike kanë lidhje me elitën komuniste dhe kjo do të thotë se nuk është një opozitë e vërtetë e pavarur. Por udhëheqësit demokratë insistojnë se kjo është një keqkuptim. Ata thanë se do të organizojnë një protestë zyrtare për gjyqet e demonstruesve, për të cilët thonë se po mbahen pa mbrojtje legale dhe në disa raste janë rrahur nga policia.
2 janar 1991
Mijëra shqiptarë arratisen në Greqi
Shqiptarë të lodhur e të rreckosur u larguan sot në turma të mëdha drejt Greqisë, duke kaluar malin e mbuluar me dëborë Tsamanta. Shumë nga refugjatët, të cilët ishin kryesisht të minoritetit grek, thanë se rojet kufitare nuk tentuan t’i ndalonin, por qeveria komuniste shqiptare i mohoi raportimet se kufijtë ishin hapur dhe përsëriti se ishte e përkushtuar për ndryshime demokratike.
Fluksi nisi muajin e kaluar kur udhëheqja e Shqipërisë nisi të përshpejtoi ndryshimet politike, por numri i të larguarve po rritet shpejt me nga disa dhjetëra në disa mijëra në ditë. Shumica e refugjatëve thonë se largohen nga Shqipëria pasi nuk besojnë premtimet e komunistëve për ndryshim, ndërsa të tjerë thonë se vijnë në kërkim të punës e një jete më të mirë. Fluksi i refugjatëve ka alarmuar qeverinë greke duke nxitur kryeministrin Constantine Mitsotakis të njoftojë se do të vizitojë Shqipërinë në lidhje me çështjen në 13 e 14 janar. Gjatë vizitës pritet që Mitsotakis të nxisë shqiptarët të qëndrojnë në vendin e tyre për shansin e gjetjes së punës.
Terren i ashër, me dëborë
Udhëheqja shqiptare ka qenë në pushtet për katër dekada, por tashmë po shpejton ndryshimet demokratike që prej protestave studentore të dhjetorit, por megjithatë refugjatët që largohen nga vendi duket qartë që nuk i besojnë premtimeve të tyre. Shqiptarët po largohen për në Greqi duke marshuar në temperatura nën zero dhe në terrene të ashpra malore drejt pikës kufitare verilindore. Një zëdhënës i policisë greke në Filiates tha se, më shumë se 3,500 shqiptarë kishin hyrë në vend një natë më parë. Numri mund të jetë më i lartë sepse shumë refugjatë nuk kanë raportuar te autoritetet greke gjatë kalimit. Refugjatët ishin mbledhur rreth zjarrit mëngjesin e sotëm bashkë me disa ushtarë në postën kufitare, e cila më parë mbrohej me fanatizëm. “Ata zgjedhin për të kaluar në këtë pikë kufitare për dy arsye”, tha një oficer i ushtrisë greke, që kërkoi të mbetej anonim. “Ka një shteg të vogël barinjsh këtu dhe rojet shqiptare tani i lejojnë të kalojnë”. 45-vjeçari Klearhos Bolomos, rrinte ulur zbathur, duke u përpjekur të riparonte atë që kishte mbetur nga këpucët e tij pas ecjes më shumë se 12 orë që nga fshati shqiptar Aliko.
“Ushtarët na thanë se jemi tradhtarë, na drejtuan automatikët, na pështynë dhe na lejuan të kalonim”, tha ai për rojet shqiptare. Qeveria greke thotë se 95 për qind e të ardhurve nga Shqipëria janë minoritarë grekë nga fshatrat kufitare. Atyre po u jepen leje të përkohshme qëndrimi, ndërsa shqiptarët që nuk janë me origjinë greke çohen me autobusë në një kamp të Kombeve të Bashkuara pranë Athinës.
Fshatra të zbrazur
“Shumë nga fshatrat kufitare janë të zbrazur tashmë, vetëm të vjetrit kanë mbetur”, thotë një refugjat me vajzën e tij 3-vjeçare në krahë. “Do t’i marrim dhe ata më vonë.” Refugjatët thonë se autoritetet u kanë thënë rojeve kufitare të mos i qëllojnë të larguarit, pas incidentit ku policia vrau pesë njerëz që përpiqeshin të kalonin më 11 dhjetor. “Ne mblodhën njerëzit e fshatit dhe vendosëm të kalonim në Greqi”, thotë refugjati Aristides Dalamis, 32 vjeç. “Dëgjuam fjalë se kjo pikë kufitare ishte e hapur dhe erdhën me rreth 60 njerëz nga fshati ynë.” Në mesazhin e tij sot për vitin e ri Presidenti Ramiz Alia premtoi se, viti 1991 do të ishte një pikë kthese nëdemokratizimin e vendit. “1990 do të mbetet në historinë tonë si viti i transformimeve të mëdha demokratike në të gjithë shoqërinë”, tha Alia. “Këto zhvillime i realizuan më shpejt se mund ta imagjinonte çdokush”. Alia dënoi trazirat e muajit të kaluar dhe paralajmëroi shqiptarët se trazira të tjera do të vinin në rrezik reformat. Qeveria shqiptare mohoi se kufiri prej 100-miljesh me Greqinë është i hapur, duke thënë se lajmet janë sjellë nga agjenci të huaja lajmesh, me qëllim të nxisin shqiptarët të largohen ilegalisht nga vendi. Në qytezën kufitare greke Filiates, bashkiaku Pantelis Koufalas tha se fluksi i papritur i refugjatë kishte vënë në vështirësi ekonominë vendase. Ai tha se kishte 4,000 refugjatë në qytezën me popullatë prej 5,000 banorësh. Kaufalas shtoi se shqiptarët nuk kishin veshje, ushqim dhe strehim, dhe se shumica po flinin në kopshte ose trotuare, ndërsa një komitet lokal po përpiqte të zgjidhte situatën. “Më duket se Alia ka vendosur të heqë qafe të gjithë këta njerëz që nuk e mbështesin sistemin e tij”, tha një zyrtar i policisë.
Ai tha se në vitin 1988, vetëm shtatë shqiptarë kishin arritur të kalonin kufirin, në vitin 1989 numri u rrit në 17, ndërsa prej dhjetorit kufiri po kalohet nga mijëra njerëz në ditë. Që prej vdekjes së diktatorit Enver Hoxha në 1985, Shqipëria ngadalë është hapur ndaj pjesës tjetër të botës. Verën e kaluar ajo lejoi mijëra njerëz të largoheshin drejt Francës, Gjermanisë e vendeve të tjera perëndimore, pasi vërshuan në ambasadat e huaja në Tiranë.
Policia ndan grupet rivale në mitingun e opozitës
4 shkurt 1991
Policia me veshje speciale ndërhyri sot për të ndarë mbështetësit e komunistëve në pushtet me ata të Partisë opozitare Demokratike gjatë një mitingu të opozitës me rreth 10 000 njerëz. Partia e parë opozitare po sfidon komunistët në zgjedhjet e para pluraliste që do të zhvillohen në 31 mars. Komunistët sfidohen për herë të parë në zgjedhje që kur erdhën në pushtet në vitin 1944. Skuadrat e policisë me shkopinj e mburoja hynë mes protestuesve në sheshin kryesor të Burrelit, duke ndarë mbështetësit e Partisë Demokratike nga komunistët me foto të diktatorit Enver Hoxha. Hoxha, themeluesi i Shqipërisë komuniste, qeverisi vendin me dorë të hekurt deri në vdekjen e tij në 1985.
Nën presionin e protestave Shqipëria premton qeveri të re
21 shkurt 1991
Duke reaguar ndaj valës së protestave të ashpra anti-komuniste, presidenti i Shqipërisë tha sot se do të emërojë një qeveri të re. “Kam vendosur ta marr në dorë vetë të krijoj një qeveri të re dhe një këshill presidencial,” tha presidenti Ramiz Alia në një transmetim televiziv, duke shtuar se ndryshimi ishte “i nevojshëm për paqen dhe demokracinë”. Duke deklaruar se vendi është “në një pikë kritike”, ai bëri thirrje për qetësi dhe bashkëpunim nga partitë e reja të sapo legalizuara të vendit. Studentët protestues kanë kërkuar largimin e ministrit të Jashtëm Reiz Malile, ministrit të Drejtësisë Enver Halili dhe disa të tjerëve. Alia nuk dha detaje se kush do të përfaqësohej në këshillin e ri, por tha se ishte takuar sot me liderët e të gjitha partive dhe organizatave politike. “Ne duhet të punojmë të gjithë për të dalë nga kjo situatë,” tha ai. Demonstratat anti-komuniste dolën jashtë kontrollit sot teksa protestuesit në dy qytete përmbysën statujat e diktatorit komunist Enver Hoxha. Policia e armatosur dhe me qen qëlloi në ajër duke u përpjekur të ndalonin rrëzimin e statujës 10 metra të lartë të Hoxhës në sheshin kryesor Skënderbejnë Tiranë, por më pas policët nisën të përqafoheshin me protestuesit në një protestë festive për demokraci, siç tregonin dëshmitarët dhe pamjet televizive. Turmat mbanin lart dy gishta dhe thërrisnin slogane të opozitës, ndërsa dy helikopterë ushtarakë fluturonin mbi shesh. Gazetari opozitar i Rilindjes Demokratike, Ben Ruka, tha se dy njerëz u plagosën nga cifla të gurit teksa protestuesit përmbysën statujën e diktatorit. Rrëzimet e statujave në Tiranë dhe qytetin port të Durrësit simbolizojnë dekada të shtypjes mizore dhe varfërisë në shtetin e vogël ballkanik. Njerëz të kontaktuar në Tiranë thoshin se dhe statuja e Hoxhës në Korçë ishte përmbysur, por nuk kishte konfirmime zyrtare për incidentin. Në dhjetor pasuesi i Hoxhës, Alia nisi kthesën politike pas 46 vitesh regjimi stalinist dhe pas katër ditë protestash. Ndryshimet përfshinin caktimin e zgjedhjeve të lira më 31 mars dhe uljes së kufizimeve ndaj të drejtave të njeriut. Por ekonomia e centralizuar, e shkatërruar për disa dekada, tentativa për vetëmjaftueshmëri, është tashmë në prag të shembjes. Një tjetër protestë përfundoi sot pasi kryeministri Adil Carcani tha se po plotëson kërkesën e rreth 700 studentëve në grevë urie për të hequr emrin e Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës. Agjencia shtetërore e lajmeve raportoi se grevistët i kishin dhënë fund lëvizjes së tyre pas deklaratës së Çarçanit. Demonstratat e sotme nisën kur dhjetëra mijëra shqiptarë vërshuan në qytetin Studenti në Tiranë në mbështetje të studentëve grevistë. Një gazetar tha se puna ishte paralizuar sot në shumë pjesë të kryeqytetit.
Thellohet kriza prej protestave të reja në Shqipëri
22 shkurt 1991
Me mijëra shqiptarë që vazhdojnë protestat kundër regjimit komunist dhe me ekonominë e vendit të rrënuar, Presidenti Ramiz Alia nisi sot formimin e qeverisë së krizës. Kreu komunist 65-vjeçar ka marrë kontrollin personal të të gjithëaparatit qeveritar dhe tha të mërkurën në televizion se do të plotësojë kërkesat e protestuesve duke zëvendësuar kabinetin me 23 vetë të kryeministrit Adil Çarçani, 18 nga të cilët janë ministra. Që prej mesit të dhjetorit protestat kanë përfshirë kryeqytetin Tirana dhe qendrat e tjera kryesore të vendit prej 3.5 milionë banorësh. Protestat janë fokusuar në simbolet e diktatorit të vjetër Hoxha, i cili para vdekjes së tij në 1985 përcaktoi Alian si pasues. Protestuesit hynë në muzeumin Enver Hoxha, i cili ka formën e një shqiponje, në bulevardin kryesor të Tiranës. Por ata u kthyen mbrapsht kur u dëgjuan të shtëna paralajmërimi nga një njësi e armatosur e vendosur në hyrje. Tanke dhe autoblinda kishin bllokuar gjithashtu hyrjen e zonës së bllokut ku banon elita komuniste, duke përfshirë dhe të venë e Hoxhës, Nexhmijen. Pasi u rikthyen në sheshin qendror Skënderbej protestuesit shkatërruan parullën e Partisë Komuniste në tarracën e Pallatit të Kulturës, duke lënë vetëm shkronjat e fjalës “Shqipëria”. Më pas një turmë prej disa qindra demonstruesish ngritën një pirg me libra dhe foto të diktatorit Hoxha dhe i vunë zjarrin, në bazën e statujës së rrëzuar një ditë më parë.
Ushtarët të urdhëruar të mos qëllojnë
Edhe pse demonstratat e mëhershme çuan në përleshje të ashpra me forcat e rendit dhe ushtrinë, kësaj radhe nuk kishte asnjë viktimë në revoltën popullore. Në një intervistë telefonike sot kreu opozitar në Tiranë Sali Berisha, i jepte meritat për evitimin e gjakderdhjes presidentit Alia, duke thënë se kishte urdhëruar personalisht policinë dhe ushtrinë të mos qëllojnë ndaj protestuesve. Deri tani Alia po plotëson gradualisht të gjitha kërkesat e protestuesve. Pasi nisi majin e kaluar atë që quante ‘proces i demokratizimit’ ai ka ruajtur një masë popullariteti dhe protestat masive deri tani nuk kanë bërë thirrje për largimin e tij. Nuk është e qartë nëse qeveria e emergjencës së Alias do të përfshijë anëtarë nga partitë e reja opozitare. Një nga figurat opozitare Gramoz Pashko, tha sot se Partia Demokratike do të refuzojë koalicionin me komunistët.