Sirena italiane për Sokol Cikalleshin, Leçe kërkon bomberin kuqezi

0
413

Sokol Cikalleshi ka një shans të luajë në Serie A italiane. Nuk është thjesht një thashetheme merkatoje, por një interesim që ka shfaqur klubi i Leçes për sulmuesin shtatlartë shqiptar. Edhe pse ndodhet në kampionatin turk, Cikalleshi nuk paraqet pengesë për t’u transferuar në Itali, pasi bëhet fjalë për nivelin më të lartë të futbollit kontinental, një prej kampionateve më të forta në botë dhe njëherësh një nga 5 ligat më të fuqishme të planetit. Kuptohet,m një mundësi të tillë transferimi nuk do ta refuzonte as sportisti, i cili pret që bisedimet mes palëve të përfundojnë me një marrëveshje. Dihet që Cikalleshi luan me Akhisarsporin në ligën e dytë turke, skuadër e cila sezonin e kaluar ishte në elitë por këtë vit u rrëzua. Dhe kavajasi po sheh një mundësi të re për të luajtur në elitë, prandaj po e shqyrton me kujdes mundësinë e një transferimi. Janë vetë mediat sportive online, të cilat bazuar në burimet pranë futbollistit shkruajnë që e ardhmja e Sokol Cikalleshit mund të jetë në Itali. Për bomberin shqiptar i cili është në pronësi të klubit turk Akhisarspor, interesohet Leçe që është në kërkim të një sulmuesi me eksperiencë për të shpresuar te mbijetesa në Serie A. Cikalleshi ka profilin e duhur për drejtuesit e Leçes të cilët kanë nisur kontaktet me agjentin e futbollistit dhe me Akhisarspor. Vetë lojtari nuk dëshiron të luajë në ligën e dytë të futbollit turk dhe kërkon largimin, kështu Leçe do të ishte skuadra perfekte për 29-vjeçarin për të treguar vlerat e vërteta të tij. Sipas mediave italiane për kuqeziun interesohen edhe disa klube të ligës së parë franceze, mbetet për t’u parë se ku do ta vazhdojë karrierën Cikalleshi por ky fund gushti pritet të jetë shumë i nxehtë për sulmuesin e kombëtares shqiptare. Mbetet të shihet a do të realizohet ky kalim i sulmuesit kuqezi në Serie A, por edhe nëse nuk realizohet, sërish Cikalleshi mbetet një objektiv për trajnerin Edi Reja, pasi Kombëtarja ka nevojë për forcën, cilësitë teknike dhe peshën që ka sulmuesi në radhët e përfaqësueses.

Napoli/ Hysaj pret të jetë titullar për të bllokuar Ronaldon

Nuk është vetëm Cikalleshi që pret një sinjal për të kaluar në Serie A, por edhe një tjetër lojtar i Kombëtares që luan në Itali dhe dëshiron të jetë titullar në fushë me ekipin e tij. bëhet fjalë për mbrojtësin e skuadrës përfaqësuese, Elseid Hysaj, transferimi i të cilit në një klub tjetër brenda apo jashtë Italisë këtë merkato vere dështoi, kështu që shkodrani po projekton të rivalizojë me shokët e gruipit tek Napoli për të kapur një pozicion titullari. Kështu, në prag të sfidës, Juventus-Napoli, trajneri i të kaltërve Karlo Ançeloti është duke menduar për formacionin që do të hedhë në fushë kundër bardhezinjve. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, numri një i pankinës së kaltër mesa duket ka vendosur që të lërë në stol Di Lorenzon dhe të hedhë në fushë që nga minuta e parë, Elseid Hysaj, të cilit do t’i duhet të markojë Kristiano Ronaldon. Një lajm i mirë ky për mbrojtësin kuqezi, i cili që pas ardhjes së Ançelotit tek Napoli, gradualisht humbi vendin e titullarit, teksa me ardhjen e Di Lorenzos situata u bë edhe me e vështirë për shkodranin, situatë të cilën Hysaj nuk e pranon aspak, ndaj dhe nuk ka nguruar ta deklarojë publikisht që kërkon të largohet. Ofertat ndaj mbrojtësit kuqezi nuk kanë munguar, por pengesë është bërë presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, ky i fundit pretendon një shifër të majme për ta lënë të lirë Hysajn. Sidoqoftë aktivizimi nga minuta e parë ndaj Juventusit mund të jetë një pikë kthese për Hysaj, duke bërë që shkodrani të rikthehet sërish si titullar në formacionin e të kaltërve.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here