Kinemaja verore “pushton” Durrësin, filmi “Onda su Onda” shfaqet në Amfiteatër

    0
    348

    Kinemaja verore prej një muajsh ka pushtuar qytetin bregdetar të Durrësit, i cili është i mbushur me filma të ndryshëm në Amfiteatrin e qytetit. Pasardhësit e romakëve, Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës dhe bashkinë e qytetit, sjellin për herë të parë “Cine Club”. Filma të kinematografisë italiane, realizime të viteve të fundit dhe jo vetëm, çlodhin publikun durrsak netëve të nxehta të verës. Ditën e djeshme u shfaq filmi italian “Onda su Onda”, me regji të Rocco Papaleo, ku për rreth një orë e gjysmë mbajti të “mbërthyer” mijëra artdashës jo vetëm vendas, por edhe të huaj. “Onda su Onda” është transmetuar në kinematë italiane në vitin 2016, ku ka shënuar një numër të lartë audience. Në film paraqitet jeta e një këngëtari entuziast i muzikës së lehtë, Gege Cristofori, i cili prej disa kohësh ndodhet në një gjendje jo të mirë ekonomike. I ndodhur në këto kushte, ai pranon ftesën e një adoleshenteje miliardere amerikano-jugore, e cila e fton të performojë në Uruguai në Montevideo, qytet ky ku shumë vite më parë ai kishte performuar dhe kishte krijuar një farë suksesi. Por duke mos pasur para mjaftueshëm për të udhëtuar me avion, Gege Cristofori niset me një anije të linjave Grimaldi Lines. Ftesa për të mbajtur një koncert në Uruguai ishte një rast shumë i mirë për atë, pasi në Itali ku jetonte prej disa kohësh ishte totalisht i panjohur dhe në internet nuk gjendej asnjë foto e tij. Gjatë udhëtimit me anije, Gege Cristofori takon Ruggero-n, i cili ishte një kuzhinier i vetmuar dhe që prej katër vitesh nuk zbret në tokë pas një krize sentimentale që kishte kaluar nga një histori dashurie me një adoleshente. Pas takimit mes tyre, menjëherë lindi një antipati instiktive. Ruggero për ta ofenduar Gege Cristoforin, e mbyll atë në një dhomë frigoriferike. Ky incident bëri që Gege të pësojë një ulje të papritur të zërit, gjë që nuk mund të kurohej në anije.

    Drama e ngjarjes

    Por kur arrijnë në Montevideo, kuzhinieri i anijes Ruggero shoqëroi Cristoforin në spital për tu vizituar, ku pas vizitës u konstatua se ai kishte një bllokim të kordave vokale. Por duke u ndjerë përgjegjës për ngjarjen, Ruggero detyrohet të gënjejë organizatën dhe të shtiret sikur është ai këngëtari Gege Cristofor. Por në fakt, miliarderja amerikano-jugore është një producente televizive, në një program që kërkojnë personat e humbur. Por rreth 30 vjet më parë këngëtari Gege Cristofori kishte kaluar një natë dashurie me një vajzë. Pas asaj nate Cristoferi u kthye në Itali dhe nuk e mori vesh kurrë se në jetë kishte ardhur një vajzë e cila quhej Gilda Mandarino. Tashmë Gilda beson se Ruggero është i ati. Ndërkohë Gege Cristofori ende i shtruar në spital merr lajmin se ka një tumor në fyt. Ai pranon ta njohë vajzën dhe merr pjesë në një spektakël televiziv ku këndon me play-back këngën e tij më të famshme. Ruggero e Gilda, më pas vizitojnë varrezat, vënë lule në varrin e nënës së Gilda-s që tashmë pret dhe ato për Gege Cristofori.

    Shfaqja e filmave në Amfiteatër

    Të shijosh një film nën qiell të hapur, para një ekrani të madh dhe i ulur në arenën e Amfiteatrit Antik, aty ky mijëra vjet më parë gladiatorët ndesheshin mes tyre për të argëtuar paraardhësit tanë të lashtë që mbushnin shkallaret e këtij amfiteatri. Ky propozim është mbështetur nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Durrës në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, Alban Ramohitaj u shpreh se qëllimi i kinemasë verore është në afrimin e sa më shumë turistëve të huaj, por edhe nxitjen e artit tek qytetarët vendas. “Duam të afrojmë turistët e shumtë të huaj që ndodhen në qytetin tonë, po dhe ata vendas e qytetarët durrsakë që të vijnë e të shohin filmat e të marrin kënaqësi nga një pjesë e kulturës italiane dhe të trashëgimisë së kulturës sonë. Amfiteatri Antik është një mrekulli. Kjo është një nga risitë e veçanta të këtij sezoni. Të shijosh një film duke parë dhe Amfiteatrin. Është një magji më vete”, tha ai.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here