Presidenti Ilir Meta pritet që të trazojë akoma dhe më tepër situatën politike në vend. Ditët e fundit Meta ka nisur një luftë të paprecedentë me qeverinë, ndërkombëtarët dhe reformën në drejtësi. Madje të dielën arriti deri aty sa paralajmëroi se do të ketë gjakderdhje nga kriza politike në vend. Sytë e Metës janë te Lulzim Basha. Ky i fundit për të shmangur konfliktin me LSI ka deklaruar se do u rikthehet protestave, por nuk ka asnjë thirrje për dhunë dhe PD vijon të qëndrojë larg 13 tetorit. Që në maj të këtij viti, gazeta deklaroi se Berisha e kërcënonte Bashën se do sfumohet nga Ilir Meta nëse nuk e rrëzon Ramën nga pushteti. Realisht kjo po ndodh. Meta po bëhet shumë protagonist dhe prodhon lajm më shumë se kreu i PD. Por fundi i vitit mund të sjellë një ashpërsim të madh të situatës brenda opozitës. Sipas burimeve, nëse PD vijon me protesta paqësore, Meta mund të marrë drejtimin e LSI pas shkarkimit nga Parlamenti. Socialistët e kanë ndarë mendjen se do e shkarkojnë dhe me gjasa në fund të shtatorit mund të merret një vendim i tillë. Problem mbetet Kushtetuesja, por në korridoret e politikës flitet se Meta nuk do presë ngritjen e saj, por do braktisë detyrën dhe do marrë frenat e LSI për ta shpëtuar atë nga shkrirja. Meta e ka kuptuar se partia e tij rrezikon shkrirjen. Fakti që vetëm kjo parti e pranon 13 tetorin dhe do zgjedhje tregon qartë se janë në panik nga zhdukja. Qëndrimi në krye të shteti nuk po i jep asnjë forcë Metës, i cili vetëm kthen dekretet, por nuk i bën asgjë qeverisë. Nga ana tjetër, Basha nuk i përgjigjet reagimit të tij, por vijon me reagime demokratike. Për të gjitha këto flitet se Meta po mendon seriozisht që të marrë frenat e LSI dhe të zbresë në rrugë për të rrëzuar qeverinë. Deklarata e tij se do ketë gjakderdhje nuk ishte rastësore. Ky ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për kryeministrin, duke treguar se ai është gati të bëjë gjithçka për të mos lejuar shkrirjen e LSI. Çdo ditë që kalon forcohen zërat se djegia e mandateve dhe braktisja e zgjedhjeve ka qenë një plan i mirëmenduar për të goditur LSI. Flitet se kjo mund të jetë dhe lojë e ndërkombëtarëve e prandaj Meta po sulmon fort si SHBA, ashtu dhe BE.
Rreziku për Bashën
Nëse Meta merr drejtimin e LSI, atëherë pritet që të kemi një rivalitet të fortë brenda opozitës. Deri më tani, Kryemadhi e ka respektuar Bashën, duke e ndjekur nga pas në çdo vendim që ka marrë ai. Por a do ndodhë e njëjta gjë me Metën? Gjasat janë që jo. Madje nëse ai merr drejtimin e LSI, Basha mund të bjerë në hije dhe do kemi një rivalitet të fortë mes tyre. Për më tepër, Berisha e ka kërcënuar Bashën se do mbështesë Metën dhe nëse ndodh kjo, atëherë lideri demokrat do e ketë pisk punën. Pra sinjalet janë se vjeshta do sjellë zhvillime. E sigurt është se Meta e Berisha janë duke u përgatitur për tensione e përplasje. Nëse Basha nuk u përgjigjet, atëherë Meta pritet të vërë në zbatim planin B, pra të marrë frenat e LSI. Përmes kësaj ai ka të drejtën të zbresë në rrugë dhe nuk është çudi që të shtyjë vendin drejt trazirave. Këto ditë Meta po e teston Bashën, por ky i fundit nuk po i përgjigjet. Madje të dielën Meta e sulmoi drejtpërdrejtë duke i kërkuar të reflektojë. Por Basha nuk e pranon 13 tetorin dhe është distancuar nga Meta. Pra arma e fundit e presidentit është të zbresë në rrugë si kryetar partie dhe të fusë në kaos vendin. Nëse shkarkohet, Metës i shtohet dhe një tjetër rrezik, reforma në drejtësi, pasi ai nuk do ketë më imunitet. Të gjitha këto duket se janë analizuar nga presidenti, i cili po jep sinjale se kërkon tym e flakë në vjeshtë.
Kliti Topalli