Ndryshon udhëzimi, ja procedurat që duhet të ndjekin bizneset për të paguar me këste detyrimet tatimore

0
415

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka vendosur të ndryshojë procedurat për pagesën me këste të detyrimeve tatimore nga ana e bizneseve. Sipas ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, bizneset kanë të drejtë të lidhin një marrëveshje e cila garanton që detyrimet tatimore të tyre të paguhen pak nga pak. Por me ndryshimin më të fundit që ka pësuar udhëzimi, i cili është i botuar tek Qendra e Botimeve Zyrtare dje, kjo marrëveshje mund të lidhet vetëm në momentin që administrata tatimore kryen një vlerësim tatimor paraprakisht. “Pika 77.7 e udhëzimit nr. 24, datë 2.9.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ndryshon si vijon:a) Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore si rezultat i një vlerësimi tatimor të kryer, sipas nenit 68, të ligjit në fuqi “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, si dhe për detyrime tatimore të vetëdeklaruara (vetëvlerësimit) nga tatimpaguesi”, thuhet në vendim. Po si kryhet vlerësimi tatimor? Sipas nenit 68 të sipërcituar, vlerësimi tatimor është llogaritja e detyrimit tatimor të tatimpaguesit nga administrata tatimore. “Në rastet kur shuma e detyrimit tatimor të vetëdeklaruar nuk paguhet, është njoftimi, që kërkon pagesën e detyrimit tatimor në datën e përcaktuar në ligjin përkatës. Nëse tatimpaguesit i kërkohet të dorëzojë deklaratë tatimore dhe të paguajë detyrimin tatimor, deklarata merret si vetëvlerësim tatimor. Nëse administrata tatimore konstaton se detyrimi tatimor, i dhënë në deklaratën tatimore, është i pasaktë ose tatimpaguesi nuk ka dorëzuar deklaratë tatimore apo nuk ka paguar detyrimin tatimor, administrata tatimore bën vlerësimin tatimor”, përcaktohet në nenin 68. Pra, tani bizneset do të mund të lidhin marrëveshje për pagesën me këste të detyrimeve tatimore vetëm pasi administrata tatimore të ketë kryer të gjitha procedurat dhe verifikimet e parashikuara në ligj.

Përjashtimet

Në udhëzimin e ndryshuar me vendim të ministres Anila Denaj janë specifikuar edhe rastet se kur nuk mundet një tatimpagues të lidhë marrëveshje për pagesë me këste të detyrimeve tatimore. Sipas udhëzimit, bëhet fjalë për rastin kur tatimpaguesi kërkon të paguajë në këtë formë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Nga kjo pamundësi përjashtohen institucionet publike që në këtë rast janë tatimpagues. “Përjashtimisht, në rastet kur në cilësinë e tatimpaguesit janë institucione apo ente shtetërore apo publike, qendrore apo vendore apo ente të tjera ku shteti është palë, për raste të një interesi të lartë publik ose të nevojës për moslejimin e cenimit të rendit dhe të sigurisë kombëtare, mund të lidhet një marrëveshje me këste edhe për detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, citohet në udhëzim. Për të finalizuar marrëveshjen, tatimpaguesi duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim, e cila i drejtohet drejtorit të drejtorisë rajonale, ku duhet të rendisë arsyet pse detyrohet të paguajë me këste detyrimet tatimore. Marrëveshja e pagesës me këste bëhet me shkrim, brenda 10 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës dhe nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe drejtori i drejtorisë rajonale apo drejtuesi i njësisë së ngjashme me të. Për të nënshkruar një marrëveshje të pagesës me këste, tatimpaguesi detyrohet të paguajë menjëherë të paktën njëzet për qind të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja. Ajo nuk mund të zgjasë më tepër se fundi i vitit kalendarik pasardhës. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here