Qeveria ka ndryshuar procedurat e kryerjes së procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish- ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve. Procedurat e reja kanë hyrë në fuqi dje, me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare. Kështu, sipas vendimit të qeverisë që mban si datë miratimi 22 majin e këtij viti, familjet bujqësore ose individët, përdorues faktikë të tokës për veprimtari bujqësore, që kanë qenë punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.8.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka, objekt i kalimit në pronësi, pas datës 1.8.1991, të cilët nuk kanë përfituar tokë bujqësore në përdorim apo pronësi në fshatin ku kanë pasur gjendjen civile më 1.8.1991 do të duhet të paraqesin në bashki këto dokumente: kërkesën për pajisjen me AMTP për tokën që e kanë në përdorim faktik për veprimtari bujqësore; planvendosjen e secilës ngastër që kanë në përdorim faktik, të përgatitur nga një subjekt i licencuar, sipas kërkesave të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku të pasqyrohen sipërfaqja, kufijtë e saj dhe kufitarët. Në rastet kur përdoruesit faktikë janë në pamundësi financiare për hartimin e planvendosjes së ngastrave të tokës bujqësore që kanë në përdorim, ato kryhen me shpenzimet e bashkive nëpërmjet topografëve të vet; certifikatën familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile e bashkisë, në datën e transferimit të gjendjes civile në fshatin ku gjendet toka, objekt i kalimit në pronësi; dokumentacionin që vërteton se janë punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.8.1991; vërtetimet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, DAMT-ja dhe bashkia, ku kërkuesi ka pasur regjistrimin e gjendjes civile në datën 1.8.1991, se nuk është trajtuar me tokë në pronësi apo përdorim.
Familjet që nuk kanë punuar në ish ndërmarrjet bujqësore
Vendimi i ri i qeverisë përcakton gjithashtu se familjet bujqësore ose individët, përdorues faktikë të tokës për veprimtari bujqësore, që nuk kanë qenë punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore, por kanë qenë banorë të fshatit ku gjendet toka, objekt i kalimit në pronësi, sipas regjistrit të gjendjes civile më 1.8.1991, por të mos kenë përfituar më parë tokë bujqësore në përdorim apo pronësi, do të duhet të paraqesin në bashki këto dokumente: kërkesën për pajisjen me AMTP për tokën që e kanë në përdorim faktik për veprimtari bujqësore; planvendosjen e secilës ngastër që kanë në përdorim, të përgatitur nga një subjekt i licencuar, sipas kërkesave të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku të pasqyrohen sipërfaqja, kufijtë e saj dhe kufitarët. Në rastet kur përdoruesit faktikë janë në pamundësi financiare për hartimin e planvendosjes së ngastrave të tokës bujqësore që kanë në përdorim, ato kryhen me shpenzimet e bashkive nëpërmjet topografëve të vet; c) certifikatën familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile e njësisë së qeverisjes vendore, sipas gjendjes më 1 gusht 1991, me ndryshimet deri më 1 tetor 1992, në fshatin ku gjendet toka, objekt i kalimit në pronësi; ç) vërtetimet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe DAMT-ja, në juridiksionin e të cilave gjendet toka bujqësore, se nuk është trajtuar me tokë në pronësi apo përdorim”.