Shfaqja “Shpellari” vjen për katër mbrëmje me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivigli”. Pjesën e shkruar nga autori amerikan Rob Becker e sjell në skenë regjisori Nelson Mulla dhe interpretohet nga aktori Erdit Asllanaj. Evolimi i njeriut të shpellave deri në ditët e sotme vjen në mënyrë komike nga interpretimi i aktorit Erdit Asllanaj në mbrëmjet e datave 30, 31 maj dhe në datat 1 dhe 2 qershor në teatër. A ka ndryshuar mashkulli që nga koha e shpellave? Nga se vijnë keqkuptimet, zënkat, kontraditat në çift? Të gjitha këto marrin përgjigje të shfaqja “Shpellari”. Në materialin e veprës së publikuar nga teatri thuhet se “Shpellari” është cilësuar si një terapi çifti. “Nëse ke qenë të paktën një herë në jetën tënde i lidhur mos e humb. Nëse ke qenë dy herë e më shumë e ke detyrim. Nëse je beqar dhe nuk ndjek telenovelat të presim se kemi një surprizë për ty”, shkruhet për veprën e përkthyer nga Artur Lena. Regjisori Nelson Mulla shprehet se aktori i përshtatet dhe me moshën e tij pjesës, që do të jetë në skenën e teatrit. Sipas tij aktori në vepër është një tregimtar, por që sjell dhe shembuj të ndryshëm për çfarë ndodh në shfaqje. “Aktori Erdit Asllanaj, duke ditur që është një personazh i njohur dhe vetë natyra e tij që i transmeton gjërat me atë qetësinë dhe humorin tij që është pak fin përshtatet në tekst shumë, sepse këto janë gjëra që ndodhin përditë. Duke parë Erditin si natyrë, besoj se ai përshtatet shumë mirë për të transmetuar mesazhet e veprës, por dhe vetë mosha e tij është fiks për këtë pjesë. Ai është one man show, që thotë çfarë ka ndodhur dhe interpreton situata, por është tregimtar në vepër”, pohon mes të tjerave regjisori Mulla në reagimin e tij.
Puna për veprën
Autori Rob Becker ka studiuar psikologji, antropologji para se të shkruante këtë vepër që në Amerikë ka thyer rekorde. Becker filloi të performonte në vitin 2009 dhe shpejt gëzoi sukses në të gjitha konkurset e reja të komedisë, duke fituar katër në vitin e tij të parë. Vepra e tij vjen për katër net në Teatrin Kombëtar Eksperimental dhe regjisori Nelson Mulla tregon se në veprën e Becker është mbajtur vetëm linja kryesore e saj. “Kjo vepër është pak më e zgjeruar, por ne kemi mbajtur vetëm linjën kryesore që ka ajo, që është ajo mes zakoneve të femrave dhe meshkujve. Kjo është linja kryesore që i ndan të mirat dhe të këqijat që i kanë kundrejt njëri- tjetrit në marrëdhënien e tyre, sidomos në marrëdhënien në çift”, pohon regjisori. Por sipas regjisorit Nelson Mull gjithçka që sjell pjesa pasqyrohet me nota komike. “Të gjithë këto marrëdhënie që kanë, përplasjet dhe debatet pasqyrohen në mënyrë komike nga aktori Asllanaj, që është dhe si tregimtar, por dhe si ilustruesi me shembuj të ndryshëm. Pra në shfaqje është bashkëjetesa në çift. Normalisht gjatë gjithë kohës shoqërohet me shembuj se si veprojnë femrat apo meshkujt, çfarë ka në situatat më bazike të jetës, që janë të përditshme, dhe secili nga çiftet e gjen veten sepse janë gjërat që janë përditë”, shton regjisori Nelson Mulla. Pas skenës së Tiranë sipas regjisorit kjo pjesë pritet të jetë dhe në qytete të tjera të vendit. “Ne kemi plane që të vijojmë në disa rrethe me shfaqjen tonë. Kemi pasur kërkesa për në Fier, Korçë, Pogradec, por të shohim si do të vijojnë punët. Në fillim duam të mbarojmë shfaqjet në këtë teatër”, shprehet regjisori Nelson Mulla./ Julia Vrapi