Amerikanët flasin me emra, ultimatum Bashës e Kryemadhit të mos kalojnë vijën e kuqe, dënojnë ashpër dhunën në protestë

0
290

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë ditën e djeshme një “shuplakë” shumë të fortë opozitës. Pasditen e të shtunës PD-LSI u ngritën sërish në protestë, por tubimi degjeneroi në akte dhune, ndërsa nuk munguan as bombat molotov duke tentuar ta çojnë vendin drejt destabilizimit. Por teksa dje opozitarët po bëheshin gati të mbanin protestën e radhës, një orë para tubimit ambasada e SHBA tejçoi një mesazh shumë të qartë në selinë e PD dhe atë të LSI. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Amerika dënoi me forcë dhunën e ushtruar gjatë protestës së tri ditëve më parë, ndërsa gishtin e drejtoi tek organizatorët, të cilët për SHBA duhet të mbajnë përgjegjësi. E patolerueshme për SHBA ishte edhe dhuna e ushtruar ndaj ambasadorit të OSBE, Bernd Borchardt. Për këtë arsye ambasada amerikane iu drejtua dje drejtpërdrejt Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit për t’iu dhënë ultimatum që të heqin dorë nga skenarët e dhunës.

“Protestat paqësore janë thelbësore për demokraci të shëndetshme dhe e drejta e qytetarëve për t’u mbledhur dhe për të protestuar kundër qeverisë së tyre është themelore. Megjithatë, forca dhe dhuna nuk kanë vend në një proces demokratik. Ne dënojmë dhunën e pranishme gjatë protestave të 11 majit në Tiranë dhe përgjegjësit e saj. Dhuna çoi në plagosje dhe dëmtime të pronës, përfshirë edhe dëmtim të vendbanimit së Ambasadorit të OSBE-së. Këto veprime të dhunshme ishin të paligjshme dhe jodemokratike. Ne iu bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës, veçanërisht Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, që të dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore”, thuhet në reagim.

SHBA: Po dëmtohet procesi i integrimit

Duke bërë thirrje që opozita të reflektojë dhe të ulet në një tryezë dialogu, ambasada theksoi se në këtë formë po dëmtohet procesi i integrimit. “Edhe autoritetet ligjzbatuese kanë përgjegjësi për të vepruar me vetëpërmbajtje, përfshirë edhe rastet kur iu përgjigjen provokimeve. Protestat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike dhe perspektivën e vendit për të bërë përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të zmbrapsen nga përplasjet dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv, që synon t’i japë fund ngërçit politik”, ishte reagimi i SHBA.

Reagon edhe Gjermania

Një reagim i ashpër për PD-LSI erdhi dje edhe nga ambasada e Gjermanisë. Po në rrjetet sociale, Gjermania iu kërkoi po ashtu Bashës dhe Kryemadhit që të tërhiqen nga mosbindja civile dhe të protestojnë paqësisht. Sipas gjermanëve, dy liderët opozitarë do të mbajnë përgjegjësi nëse protestat degjenerojnë sërish në dhunë. “Demonstratat paqësore janë një e drejtë themelore e rëndësishme në demokraci. Shfaqje të dhunës, sikurse ishin ato që pamë në datën 11.05., janë tërësisht të papranueshme dhe të papajtueshme me këtë parim. Për këtë arsye ne dënojmë maksimalisht dhunën e çdo lloji. Veçanërisht na shqetëson fakti, që drejtuesi i Prezencës së OSBE në Shqipëri është kërcënuar. Ndaj u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës Basha dhe Kryemadhi të dënojnë të gjitha format e dhunës ndaj njerëzve dhe institucioneve dhe t’i parandalojnë ato në mënyrë efektive. Si organizatorë ata mbajnë përgjegjësi për zhvillimin paqësor të demonstratave”, thuhet në reagimin e ambasadës gjermane. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here