Vrasja e Devi Kasmit, Efthymious Efthymiu mohon akuzat: Në Shqipëri më solli pasioni për gjahun, në burg ndihem i kërcënuar

0
579

Ditën e djeshme në Gjykatën për Krime të Rënda u mbajt seanca gjyqësore ndaj grekut Efthymious Efthymiu, i akuzuar nga Prokuroria për Krime të Rënda për vrasjen e Devi Kasmit. Ky i fundit u vra në një atentat poshtë banesës së tij në janar të 2018-ës, ndërsa sipas organit të Akuzës, vrasja është bërë me porosi të Altin Hoxhallarit, i cili ka punësuar grekun Efthymiu, me të cilin kanë pasur njohje të vjetër. Por pavarësisht pretendimeve të Prokurorisë, vetë speciali grek ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen duke dhënë versionin e tij këtë të hënë, para treshes gjykuese të Krimeve të Rënda. Sipas tij, në Shqipëri ka ardhur së bashku me një tjetër shtetas grek për gjueti dhe se gjatë kohës kur kanë qenë bashke kanë provuar disa qenë gjahu dhe kanë blerë njërin prej tyre. Qëndrimi në Shqipëri,edhe pas largimit të mikut të tij grek, kishte të bënte me disa punë që shoku i tij Aureli kishte me disa mjete dhe ia kishte kërkuar si nder. Por gjatë gjithë kësaj kohe, tha speciali grek, unë nuk e kam dëgjuar asnjëherë emrin e Devi Kasmit dhe nuk kam folur për të me askënd. “Mirëdita! Në lidhje me ngjarjen, duhet të them që në fillim se në Shqipëri kam ardhur me mikun tim për gjueti. Ne e kemi pasion gjuetinë dhe kemi ndenjur këtu së bashku disa javë, ku kemi provuar disa qenë, më vonë kemi blerë një që ta përdornim për gjueti. Në Shqipëri kam ndenjur rreth 1 muaj e gjysmë më shumë se miku im grek, kjo pasi ma kërkoi shoku im Aureli që të qëndroja edhe ca. Gjatë kësaj kohe unë nuk e kam dëgjuar asnjëherë emrin e Devi Kasmit dhe as nuk kemi folur ndonjëherë për të. Ndërkohë, dua të them se kam ndenjur dy ditë në shtëpinë e Elton Halipajt, pasi ai nuk di t’i japë makinës dhe nënën e ka sëmurë me kancer dhe e kam çuar unë dy herë në spital. 

U bënë disa kohë dhe unë ende nuk e kuptoj pse jam këtu, pasi nuk kam lidhje me vrasjen”, tha Efthymiu në deklarimin e tij. Më tej, speciali grek pati ankesa edhe për mënyrën se si e transportonin nga paraburgimi për te Krimet e Rënda. “Me gjithë respektin zoti kryetar, por dua të shtojë edhe diçka. Gjatë transportit që më bëjnë nga paraburgimi në ambientet e Gjykatës, unë jam në pranga dhe me duar pas kurrizit. Gjatë udhëtimit jam i pasigurt pasi nëse ndodh ndonjë aksident mund të më rrezikohet jeta”, përfundoi ai. Gjithashtu në seancën e djeshme prokurori Besnik Muçi lexoi dje edhe deklarimet e shtetasit me iniciale R. K., i cili është edhe personi i cili ka telefonuar policinë për ngjarjen. Sipas prokurorit Muçi, ku shtetas ka deklaruar se ka dëgjuar 5-6 të shtëna dhe pas kësaj ka parë një motor të largohet me shpejtësi. Fillimisht menduam se ishin fishekzjarrë, ka thënë dëshmitari, por më pas një person kishte dëgjuar një person që thërriste: E vranë, thërrisni policinë. “Kam dalë nga shtëpia për të blerë fanta dhe gjatë kohës që po bëja muhabet me pronarin e biznesit, dëgjuam 5-6 të shtëna, që fillimisht menduam mos ishin fishekzjarrë. Menjëherë pas këtyre të shtënave kam parë një motor të largohej me shpejtësi dhe dikush bërtiti që “e vranë” po thërrisni policinë. Kam marrë në telefon policinë dhe më pas kam ecur drejt vendit të ngjarjes, ku kam takuar prindërit e mi që fillimisht menduan se mos viktima isha unë, pasi kishim veshjet pothuajse njësoj”, ka dëshmuar shtetasi R. K..

Hetimet

Referuar hetimeve, sipas prokurorit të çështjes, Besnik Muçi, Aurel Hoxhallari, shtetasi grek dhe Elton Halipaj, kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, për të përgatitur dhe kryer vrasjen e Devi Kasmit. Më tej, prokuroria pretendon se plani për vrasjen është përgatitur disa muaj para se të kryhej, ndërsa Aurel Hoxhallari, i cili dyshohet se është porositësi, njihej me Efthymious Efthymiu prej vitesh. Hoxhallari është takuar disa ditë para ngjarjes me Efthymiu-n dhe një tjetër shtetas grek, i cili është larguar nga Shqipëria para se të ndodhte vrasja. “Kur janë futur në territorin shqiptar, Aurel Hoxhallari është ndarë nga dy shtetasit grek, duke hyrë në këmbë, ndërsa ata kanë hyrë me automjet”, tha Besnik Muçi, ndërsa shtoi se kjo është bërë që të humbnin gjurmët. Pas disa ditë vëzhgim të lëvizjeve të viktimës, Devi Kasmi, mbrëmjen e 29 janarit të një viti më parë, sipas prokurorisë, Efthymious Efthymiu, i ka bërë prit Kasmit poshtë banesës së tij duke e qëlluar me armë zjarri dhe lënë të vdekur në vend.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here