Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ndaluar publikimin e të dhënave dhe akteve të procedimit penal gjatë operacioneve policore, duke marrë shkas nga rrjedhja e informacionit në operacionin blic të dy ditëve më parë në Sarandë.
Në urdhrin e Prokurorisë thuhet se në media janë publikuar edhe pjesë bisedat telefonike të përgjuara, ku shtetasit nën hetim kanë zhvilluar me njëri – tjetrin.
Për këtë arsye Prokurori Anton Martini ka vendosur të ndalojë publikimin e këtyre akteve apo bisedave nga mediat apo rrjedhjen e informacionit nga avokatët mbrojtës.
Vendimi:
U R D H E R O J
1.Ndalimin e publikimi të akteve të proçedimit penal Nr.173, të vitit 2018, qofshin ato dhe pjesë nga arsyetimi i vendimit penal Nr.81, datë 06.05.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, nëpërmjet shtypit ose çdo lloj forme tjetër informacioni masiv.
2.Ngarkohet me ekzekutimin e këtij urdhëri Kordinatori për Mediat në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.
3.Subjektet e proçedimit penal, avokatët mbrojtës, etj, të cilët për shkak të cilësisë së tyre njihen me aktet e proçedimit penal të dërguara në gjykatë dhe me vendim penal Nr.81, datë 06.05.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ndalohen t`i bëjnë publike ato.
4.Shkelja e këtij urdhëri, personat përgjegjës i ngarkon me përgjegjësi penale, sipas nenit 295/a/3 të K.Penal.

