Qeveria miraton ligjin, Byroja e Hetimit merr në dorë pastrimin e parave, pushtetarët në skaner për çdo transfertë, gati të zbulohen pasuritë jashtë vendit

0
361

Laku për gjyqtarët, prokurorët, ministrat, deputetët dhe ish-funksionarët e lartë të korruptuar po ngushtohet nga dita në ditë. Në qershor pritet që të ngrihet Struktura e Posaçme Antikorrupsion, ndërsa menjëherë nis puna për Byronë Kombëtare të Hetimit. Por kjo e fundit pritet që të kthehet në makth për të korruptuarit, pasi objekt i punës së BKH do jenë vetëm zyrtarët e lartë. Sinjalet janë dhënë që dje. Qeveria ka miratuar një sërë ndryshimesh në ligjin për pastrimin e parave, ku futet në lojë dhe Byroja e Hetimit. Përmes këtij ligji, BKH merr kompetenca për të hetuar pastrimin e parave kur janë të përfshirë pushtetarët të lartë. Sipas ndryshimeve në nenin 22, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Paraveshkëmben informacion me organet e Prokurorisë, Prokurorisë së Posaçme, Policinë e Shtetit, Byronë Kombëtare të Hetimit, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit apo të inteligjencës, për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale, veprat penale ose veprimtaritë kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale, financimit të terrorizmit, si dhe mund të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi dy- ose shumëpalëshe me to. Pra pjesë është bërë dhe BKH. Ky organ, po ashtu do të jetë pjesë e Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave. “Komiteti drejtohet nga Kryeministri dhe në përbërje ka ministrin e Financave dhe Ekonomisë, ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministrin e Mbrojtjes, ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë, prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, thuhet në ligj.

Kontrolli i transfertave

Përmes ndryshimeve në ligj, janë forcuar masat sa i takon transfertave bankare, sidomos jashtë vendit. Gazeta e ka theksuar disa herë se shumë politikanë kanë nxjerr miliona euro në shtete të ndryshme të BE dhe në Parajsat Fiskale. Madje një pushtetar i lartë ka fshehur në Londër mbi 80 milionë euro. Por përmes ndryshimeve në ligj, hidhet një hap i rëndësishëm për të zbuluar pasuritë e fshehura prej politikanëve. “Subjektet duhet të verifikojnë dhe t’u kushtojnë vigjilencë të zgjeruar marrëdhënieve të biznesit dhe transaksioneve me të gjitha kategoritë e klientëve, të cilët banojnë ose e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vende për të cilat kërkohet marrja e masave të posaçme, sipas përcaktimeve apo kërkesave të autoritetit përgjegjës. Subjektet duhet të analizojnë arsyet dhe qëllimin e kryerjes së transaksioneve të tilla dhe të mbajnë të dhëna me shkrim për konkluzionet, të cilat duhet t’u vihen në dispozicion autoritetit përgjegjës mbikëqyrës dhe audituesve, nëse kërkohet. Autoriteti përgjegjës mund të kërkojë marrje masash shtesë dhe kufizime përtej vigjilencës së zgjeruar”, thuhet aty.

Politikanët

Masa të ashpra janë marrë drejtpërdrejt dhe për pushtetarët apo të afërm të tyre. Në ligj ata cilësohen si persona të ekspozuar politikisht. Me ndryshimet që janë bërë, edhe 5 vite pasi të jenë larguar nga funksioni, politikanët do vijojnë të përfshihen te kjo kategori. Po ashtu në skaner ata do jenë dhe për policat e sigurimit. “Autoritetet të marrin masat për të verifikuar nëse përfituesit apo pronarët përfitues në policat e sigurimit të jetës janë persona të ekspozuar politikisht, jo më vonë se në momentin e pagesës. Kur identifikohen rreziqe të larta, njoftohen drejtuesit e lartë përpara kryerjes së pagesës, kryhet verifikim i hollësishëm i marrëdhënies së biznesit me mbajtësin e policës, si dhe konsiderohet raportimi i aktivitetit të dyshimtë”, thuhet në ligj, i cili shumë shpejt do të shkojë në Parlament.  

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here