Pas taksës, Kosova paralajmëron të tjera masa penalizuese kundër Serbisë

0
425

Autoritetet në Prishtinë kanë paralajmëruar dje se taksa 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, do të pasohet së shpejti me masa shtesë kundër Serbisë, në një përshkallëzim të ngërçit diplomatik që ka nisur me fushatën anti-kosovare të Beogradit dhe mohimet e krimeve serbe të kohës së luftës. Qeveria e Kosovës ende nuk ka cilësuar publikisht hapat e saj, por presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë paralajmëruar se Kosova do të ashpërsojë masat në reciprocitet të plotë, në varësi të sjelljeve të shtetit të Serbisë ndaj Kosovës. Më herët ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se do të shpallen persona non-grata të gjithë zyrtarët që në deklaratat e tyre mohojnë krimet e luftës në Kosovë. “Kam vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata në Kosovë dhe i bëjnë thirrje Prokurorisë të marrë masa ligjore kundër tyre”, ka thënë Pacolli,

Drejtësia fsheh krimet serbe nën qilim

Ministri i jashtëm veçoi në retorikën e tij krerët e pushtetit aktual të Beogradit, presidentin Aleksadar Vuçiç dhe ministrin e Jashtëm Ivica Daçiç, duke i quajtur ish-zyrtarë të regjimit të Millosheviç. Absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës së Recakut nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili ka shërbyer si zëdhënës i partisë së Millosheviç në vitet ’90. Zëdhënësi i Millosheviç vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që i shërbente. Serbia kreu krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Evropë që nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve”, tha Pacolli në fundjavë, duke shtuar se drejtësia ndërkombëtare dështoi në sjelljen para drejtësisë të atyre që kryen krime në Kosovë. “Nuk pati kurrë një de-nazifikim të Beogradit. Drejtësia për viktimat e luftës në Kosovë nuk do të arrihet kurrë nëse vazhdojnë të fshihen krimet nën qilim. Nëse nuk ka dënim për krimet e Beogradit të kryera në Kosovë nuk do të ketë kurrë pajtim dhe këta fashistë në Beograd do të vazhdojnë të mohojnë krimet që kanë kryer”, tha Pacolli.

Përshkallëzimi me Bosnjen

Marrëdhëniet e Kosovës janë gjithashtu në nivelin më të ulët me republikën serbe të Bosnies të drejtuar nga radikali serb Milorad Dodik, i cili i ka bërë jehonë të gjitha sulmeve dhe përçcmimeve të Beogradit ndaj Prishtinës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi  tha dje se ka hequr dorë nga pjesëmarrja në samitin ekonomik në Sarajevë, të thirrur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke theksuar se theksuar se arsyeja e vetme është niveli i ulët i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës. “Përkundër vullnetit politik dhe gatishmërisë sonë për marrëdhënie të mira fqinjësore, fatkeqësisht ky vullnet jo vetëm që nuk është pranuar, por shpeshherë është keqpërdorur. Bosnje Hercegovina ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe ende e mban në fuqi regjimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës”, thuhej në deklaratën e Thaçit. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjithashtu përmendi dje kreun serbo-boshnjak si një shembull të abuzimeve dhe shkeljes së të drejtave. “Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike dhe njëherësh pamundëson shtrirjen e ndikimit dhe interesave të Rusisë në rajon, dhe se janë të përkushtuar që Serbia të mos arrijë në lumin Ibër përmes formimit të ‘Dodik Republikës’, tha Haradinaj në një event përkujtimor, duke iu referuar Republikës Serbe në Bosnje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here