Presidenti Ilir Meta ka refuzuar kërkesën e Ministrisë së Arsimit për të shkarkuar nga detyra Rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Ashtu siç gazeta e paralajmëroi pak ditë më parë, Meta ka mbyllur sytë përpara shkeljeve të Konit dhe ka vendosur rikthimin e tij në detyrë. Edhe pse Ministria e Arsimit gjatë dy auditive të kryera në Rektoratin e Tiranës gjeti pafund shkelje, kreut të shtetit nuk i kanë barë përshtypje asnjë nga këto shkelje, duke rrëzuar kështu kërkesën e ministres së Arsimit, Besa Shahini. Përmes një njoftimi të shpërndarë dje për mediat, Meta bëri të ditur se nuk e pranoi kërkesën e ministres, ndërsa ka renditur edhe një sërë arsyesh që e detyruan të mbajë këtë qëndrim. Kështu, në përgjigjen e tij, kreu i shtetit thekson se arsyetimi i ministres nuk është bindës dhe për këtë arsye nuk mund të pranohet. Ndërkohë që, ngritjen e disa grupeve për vlerësimin e situatës në Universitet, Presidenti Meta e cilëson qasje subjektive dhe arbitrare. “Riaktivizimi vetiu i grupit të punës që e kishte përmbyllur funksionin e tij, prej më se 4 muajve, tregon se ky grup pune ka vepruar përtej kompetencave të tij, jashtë afatit të përcaktuar të veprimtarisë dhe i diktuar nga autoriteti i Ministrit të Arsimit për arritjen e një qëllimi të caktuar që do të finalizohej me propozimin për shkarkim të Rektorit të Universitetit të Tiranës, zotit Mynyr Koni. Kjo qasje subjektive dhe arbitrare provohet edhe nga fakti se ky relacion i ri, i hartuar vetiu dhe pa ndonjë kërkesë zyrtare të ministrit, që në titull dhe në përmbajtjen e tij, nuk trajton evidentimin e përgjegjësisë për gjithë organet drejtuese të Universitetit të Tiranës, por vetëm përgjegjësitë në adresë të Rektorit të Universitetit të Tiranës, si organi i vetëm drejtues që ka shfaqur problematikë”, deklaroi ai.
Meta thumbon Shahinin
Presidenti Ilir Meta shprehet më tej se ministrja e Arsimit, Besa Shahini para propozimit duhet të ishte konsultuar me të si dhe të zhvillonte takim me Rektorin Mynyr Koni për të dëgjuar arsyetimin e tij. “Presidenti evidenton se Ministri i Arsimit, në ndërmarrjen e këtij propozimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, nuk është konsultuar apo nuk ka komunikuar paraprakisht me Presidentin e Republikës. Për më tepër, Presidenti, vlerëson se përpara propozimit për shkarkim, Ministri i Arsimit duhej të kishte realizuar një takim paraprak me Rektorin e Universitetit të Tiranës, me qëllim që të kishte dëgjuar pretendimet apo sqarimet e tij, përpara vendimmarrjes ekstreme të propozimit për shkarkimin e tij”, u shpreh ai. Por më këtë lëvizje dhe këto përplasje me mazhorancën, Meta po tregon hapur se jovetëm që është rreshtuar krah PD-LSI, por po bën opozitë më tepër se vetë opozita. Pak kohë më parë, ai u përplas me kryeministrin Rama, duke refuzuar të dekretojë Genc Cakajn si ministër të Jashtëm. Ndërkohë që, të njëjtin qëndrim kundërshtues ka mbajtur edhe më pas, duke i kërkuar llogari qeverisë si për situatën tek “Bregu i Lumit”, ashtu edhe për tek “Astiri”, ndërsa ka kthyer mbrapsht edhe disa ligje.
Gjendja në universitet
Sa i takon gjendjes aktuale në të cilën ndodhen Universitet, presidenti thekson se përgjegjësia është edhe e Ministrisë së Arsimit, pasi sipas tij, ajo ka vonuar nxjerrjen e akteve nënligjore. “Mosnxjerrja e akteve nënligjore në kohë ka krijuar terren që në institucionet e arsimit të lartë, pra edhe në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, të krijohen situata që prodhojnë konflikte midis strukturave akademike dhe administrative, si në rastin konkret që kanë prodhuar kallëzime penale në organin e Prokurorisë, padi gjyqësore në Gjykatën Administrative”, thuhet në njoftimin e presidentit Ilir Meta.
Rigels Seliman