Presidenti Ilir Meta tregoi dhe një herë se është krah abuzuesve dhe jo ndërtimit të shtetit ligjor. Ministria e Arsimit zbuloi shkelje flagrante në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, por presidenti pavarësisht kësaj ka refuzuar të shkarkojë Mynyr Konin. Gazeta e paralajmëroi se Meta do e shfrytëzojë këtë situatë politikisht dhe ashtu ndodhi. E përdori rastin e Konit për të sulmuar qeverinë, pa parë fare skandalet e tij. Gazeta “Sot” ishte ajo që publikoi raportin e auditit të Ministrisë së Arsimit dhe bëhet fjalë për një raport me 115 faqe, ku tregohen të gjitha abuzimet e Mynyr Konit. Këto gjetje, jo vetëm që mjaftojnë për shkarkimin e tij, por duhet që Koni të shkojë për ndjekje penale. Por presidenti është bërë palë me korrupsionin, duke mos menduar për të mirën e universitetit, por të fituar kredo politike.
Shkeljet e Konit
Raporti mbi të cilin u kërkua shkarkimi i Konit, është hartuar vitin e shkuar pas një auditi të ushtruar nga ky dikaster pranë Universitetit të Tiranës. Grupi i punës i përbërë nga Alqi Kushi, Mirela Bimo, Jeton Shehu, Iva Beliu, Bledar Biçoku, i ngritur me Urdhrin Nr.77, datë 16.02.2018 të Ministrit të Arsimit Sportit dhe Rinisë, “Për ngritjen e grupit të punës për kontrollin e pajtueshmërisë së veprimtarisë së Universitetit të Tiranës me aktet ligjore/nënligjore në fuqi”, ushtroi kontroll pranë Universitetit të Tiranës nga data 16.02.2018 deri në 02.03.2018. Grupi i auditimit takoi organet drejtuese dhe autoritetet drejtuese të UT, dhe pas ushtrimit të kontrollit vërejti se në Universitetin e Tiranës konstatohen problematika të administrimit të brendshëm, kryesisht nëpërmjet bllokimit të procedurës së brendshme të protokollimit, delegimit dhe vulosjes së praktikave shkresore, duke sjellë konfuzion në ushtrimin e funksioneve nga të gjitha organet dhe autoritetet drejtuese të UT. Raporti i hartuar nga ky grup auditi i Ministrisë së Arsimit citon se nga procesverbalet e mbledhjeve të organeve kolegjiale, por dhe nga korrespondencat zyrtare midis autoriteteve drejtuese akademike konstatohen mosmarrëveshje të vazhdueshme midis palëve, si për shembull; rektorit me drejtues të njësive kryesore, rektorit me ish kancelarin (administratorin e komanduar). rektorit me administratorin e ri. “Kryesisht ka patur pretendime: për procedurat e punësimit të personelit akademik, mbi kompetencat ndaj personelit administrativ, mbi pezullimin nga detyra të ish Kancelarit, mbi varësinë e strukturave (audit), midis Rektorit dhe Bordit të Administrimit apo Administratorit, në protokollimin e shkresave zyrtare të nxjerra nga autoritetet dhe organet drejtuese të UT dhe përdorimit të vulës/vulave nga organet drejtuese në Rektorat. Gjithashtu konstatohet ushtrim funksionesh dhe kompetencash nga ana e organeve dhe autoritetet drejtuese të UT në kapërcim të kompetencave të dhëna nga kuadri ligjor në fuqi dhe duke shkaktuar shkelje të ligjit dhe dëme financiare”, thuhet në raport.
Mosmiratimi i Statutit dhe Rregullores së brendshme të UT
Me vendim nr. 3 datë 19.01.2017 të Senatit të UT “Për miratimin e strukturës së grupit të punës për hartimin e Statutit dhe Rregullores së Universitetit të Tiranës” si dhe Urdhrin e Rektorit nr.13, datë 16.02.2)17 “Për miratimin e grupit të punës për hartimin e Statutit dhe “Universitetit të Tiranës”, është ngritur grupi i punës për hartimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë ”. Grupi i Punës së MASR, ka konstatuar se ende nuk ishte miratuar nga Senati Akademik, Statuti dhe Rregullorja e brendshme e IAL-së, gjë e cila është e provuar pasi mungon vendimi i miratimit nga Senati Akademik i UT. Statuti dhe Rregullorja e brendshme e UT duhet të kishin përfunduar dhe të ishin miratuar nga Senati Akademik brenda vitit të parë akademik nga hyrja në fuqi e ligjit në zbatim të nenit 132 të Ligjit 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Parregullsi në vendimet e organeve kolegjiale
Ministria e Arsimit ka konstatuar gjithashtu parregullsi në lidhje me vendimet e organeve kolegjiale dhe nënshkrimin e procesverbaleve të mbledhjeve të të dy organeve kolegjiale, si më poshtë: Vendimet e Senatit dhe të Rektoratit nuk janë protokolluar në institucion. Procesverbali i mbledhjes së Rektoratit me nr. 4, datë 08.03.2017 dhe procesverbali nr.2, datë 17.03.2107 i mbledhjes së Senatit nuk janë nënshkruar nga Kryetari, procesverbali nr. 3, datë 26.04.2017 i Senatit është firmosur për sekretarinë nga një person që nuk është sekretar (D. Panariti), ndërkohë që neni 3 i ligjit Nr. 8480, datë 27.05.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”, parashikon dy anëtarët e organit kolegjial për zëvendësimin e përkohshëm në rast të mungesës së kryetarit apo sekretarit. Gjithashtu nga drejtues të njësive kryesore është kërkuar që mbledhjet të zhvillohen, periodikisht, mundësisht çdo javë për çështje të administrimit dhe funksionimit normal të institucionit. Me shkresën nr. 401. datë 13.04.2017, me lëndë “Kërkesë për mbledhje të rektoratit”, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, drejtuar anëtarëve të Rektoratit, shprehet se “në një nga mbledhjet e rektoratit kemi marrë vendim të mblidhemi njëherë në javë, por ka kaluar mbi një muaj që nuk jemi mbledhur nga mbledhja e fundit e drejtuar nga zv/rektori megjithëse kemi çështje mjaft të rëndësishme për të diskutuar (projektbuxheti, tarifat e shkollimit, procesi akreditimit, si dhe çështje të tjera).
Ja disa nga shkelet që janë gjetur për Mynyr Konin
1. Me shkresën nr.467/1, datë 31.01.2018 drejtuar rektorit, Administratori ka kërkuar marrje informacioni për çështjet gjyqësore, dhe në përgjigje, me shkresën nr.467/2, datë 21.2.2017 të Rektorit, nuk jepet informacion por nuk ngarkohet as ndonjë strukturë në Rektorat për dhënien e këtij informacioni të kërkuar nga administratori. Për më tepër në këtë shkresë i kërkohet të përcaktohet baza ligjore që i njeh të drejtën apo detyrimin për t’u marrë me shërbimin juridik. Grupi i punës konstaton se kjo tipologji korrespondence jo vetëm nuk i shërben bashkëpunimit midis autoriteteve drejtuese, por pengon këtë bashkëpunim që aktualisht është i cenuar.
2. Koni akuzohet nga grupi i auditit të Ministrisë së Arsimit se ka bllokuar qëllimisht dhe ka nxjerrë jashtë funksionit sistemin informatik të Universitetit të Tiranës. Në raport specifikohet se në takimet që grupi i punës realizoi me autoritetet drejtuese të Universitetit të Tiranës, rezultoi se prej muajit Korrik të vitit 2017, Sistemi lnformatik nuk funksionon. Në këtë sistem hidhen të dhënat e studentëve, si notat, mungesat, etj. Gjithashtu, ky sistem ndihmon si sekretaret mësimore, ashtu edhe studentët në mbarëvajtjen e procesit mësimor. Nga procesverbalet e mbledhjeve të Senatit dhe Rektoratit, mosfunksionimi i sistemit ka qenë një problem i ngritur nga shumë anëtarë të këtyre organeve kolegjiale.
3. Nga objeksionet e paraqitura rezulton se grupi i punës në UT ka diskutuar mbi ecurinë e punës për hartimin e projekt statutit me Rektorin në takimet e zhvilluara në datat 07.06.2017 dhe 11.07.2017. Grupi i punës në UT i ka paraqitur Rektorit projektstatutin në datë 24.10.2017. Rektori nuk ka marrë masat e nevojshme ndaj grupit të punës në UT, për përfundimin e hartimit të projekt-statutit. Gjithashtu, në urdhrin e Rektorit Nr. 13, datë 16.02.2017, nuk përcaktohet afati për përfundimin e punës për hartimin e Statutit dhe Rregullores nga grupi i punës i ngarkuar me këtë detyrë.
4. Grupi i punës konstatoi se procesverbali i mbledhjes së Rektoratit me nr. 4, datë 08.03.2017 dhe procesverbali nr. 2, datë 17.03.2107 i mbledhjes së Senatit nuk janë nënshkruar nga Kryetari apo personi zëvendësues sipas ligjit Nr. 8480, datë 27.05.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”, por vetëm nga sekretaria. Në pikën 1 të nenit 2 të ligjit Nr. 8480, datë 27.05.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”, citohet “Çdo organ kolegjial ka një kryetar dhe një sekretar, te cilët zgjidhen nga anëtarët e këtij organi, me përjashtim te rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe.” Sipas nenit 16 të ligjit sipërcituar, procesverbaleve mbahen nga sekretari i organit kolegjial. Nga sa më sipër, procesverbalet e mbledhjeve duhet të mbahen nga një anëtar i senatit dhe jo nga sekretarja e Rektorit apo punonjës i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore.
5. Mbajtja e detyrës së Drejtorit të Drejtorisë së Kurrikulave dhe Standardeve në UT nga Z. Duro, përbën shkelje të pikës 16, të VKM nr.329, datë 12.4.2017 “Për statusin dhe trajtimin e veçantë të personelit akademik”, ku personeli akademik me kohë të plotë apo të pjesshme nuk mund të ushtrojë asnjë funksion administrimi në IAL, me përjashtim të zgjedhjes anëtar në Bordin e Administrimit, qoftë edhe pa pagesë. Objeksionet e Rektorit nuk pranohen.
6. Mbi procedurat e punësimit të personelit akademik (mosmarrëveshjet midis autoriteteve janë nga përcaktimi i kritereve, shpallja publike, por kryesisht mbi autoritetin përgjegjës për ngritjen e komisionit ad hoc dhe vendit ku do të zhvillohet konkursi). Në procedurat e punësimeve për personel akademik, Grupi i Punës konstaton se urdhrat për ngritjen e Komisionit të Vlerësimit janë nxjerrë nga rektori, i cili ka caktuar anëtarët e komisionit sipas propozimeve të ardhur nga njësitë kryesore e njësitë bazë, dhe një anëtari zgjedhur prej tij.
Kliti Topalli