Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi dje që t’i japë fund shqyrtimit gjyqësor të çështjes së anëtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Gjatë seancës së dhjetë, trupa gjykuese e përbërë nga Luan Daci si kryesues, Sokol Çomo relator dhe anëtarë gjyqtaret Ina Rama, Rezarta Schutz dhe Albana Shtylla, bëri të ditur se për Edmond Islamajn ishte depozituar edhe një denoncim i ri.
Megjithatë, kryesuesi Luan Daci sqaroi se për këtë denoncim ka disa dyshime mbi identitetin e personit që e ka depozituar. Pavarësisht kësaj, ai theksoi se denoncimi do t’u vihet në dispozicion palëve në funksion të transparencës. Në vijim, Luan Daci i hapi rrugën Edmond Islamajt që të paraqesë provat e pretenduara që do të justifikojnë të ardhurat e gjyqtarit të Lartë për udhëtimet private të kryera jashtë vendit. Gjatë seancës së kaluar Islamaj pati paraqitur disa dokumente nga shteti italian, por KPA i kërkoi që t’i depozitojë ato me vulë apostile me qëllim që Komisioneri Publik të shprehet. Për të siguruar dokumentet sipas rregullave, KPA i la 3 javë kohë Edmond Islamajt, ndërsa dje u bë paraqitja e këtyre provave. Ai depozitoi katër dokumente, duke përfshirë një certifikatë historike banimi për një person të lidhur në Itali, si dhe certifikatat e regjistrimit në tatime e shoqatës ‘Meduza’ dhe deklaratat noteriale të dy organizatave jo-fitimprurëse, Meduza dhe I.R.E.A. Provat e dorëzuara nga gjyqtari i Lartë u kontestuan nga Komisioneri Publik. Ai i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që këto dokumente të mos pranohen sepse Islamaj ka paraqitur deklarata noteriale të marra në Itali nga noter shqiptar, të cilat kalojnë kompetencat e tij.
Komisioneri shtoi se vlera e deklaratave noteriale të administruara nga Kolegji si prova, duhet t’i nënshtrohej rregullave të dëshmisë përpara trupës gjykuese. Për këtë arsye ai kërkoi që ato të mos merreshin në konsideratë si pjesë e analizës financiare të subjektit. Në seancë nuk munguan as debatet mes Islamajt dhe trupës gjykuese, e cila i mohoi kohën gjyqtarit të Lartë për të kundërshtuar qëndrimin e Komisionerit Publik. Në fund, KPA vendosi që t’i japë fund shqyrtimit gjyqësor, ndërsa caktoi datën 2 maj si ditën kur palët do të japin konkluzionet përfundimtare, për t’i hapur më pas rrugë vendimit.