Qeveria hodhi dje hapin final për miratimin e kartës së studentit. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, u përcaktuan të gjitha fushat ku studentët do të përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara. Më konkretisht, bëhet fjalë për fushën e artit, kulturës, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, arsimit, sportit, rinisë, transportit, turizmit, mjedisit, ekonomisë, financave, punësitmit dhe trajtimit. Shërbimet e ofruara, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, bëhen publike nga të gjitha institucionet qendrore e vendore, si dhe nga subjektet publike e private në faqet e tyre zyrtare.
“Ministrat, sipas fushës së përgjegjësisë përkatëse, miratojnë, me urdhër të përbashkët me ministrinë përgjegjëse për arsimin, listën e shërbimeve të ofruara me çmime të reduktuara për studentët. Në urdhrin e përbashkët përcaktohen çmimet e reduktuara për shërbimet që do të ofrohen. Përfituesit e kartës së studentit përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara edhe nga subjekte të tjera publike apo private, që kanë objekt të fushës së veprimtarisë së tyre shërbime për studentët, në bazë të marrëveshjeve përkatëse”, thuhet në vendimin e qeverisë.
VKM sqaron më tej se në nivel vendor, marrëveshjet për ofrimin e shërbimeve me çmime të reduktuara për studentët nënshkruhen ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Ministrisë së Arsimit. “Efektet financiare nga reduktimi i çmimeve përballohen nga buxhetet e njësive të vetëqeverisjes vendore. Njësitë e vetëqeverisjes vendore nënshkruajnë marrëveshje me subjekte të tjera publike dhe private për ofrimin e shërbimeve me çmime të reduktuara për përfituesit e kartës së studentit. Çdo institucion i arsimit të lartë mund të nënshkruajë marrëveshje, me subjekte publike apo private, për ofrimin e shërbimeve të ndryshme, me çmime të reduktuara për përfituesit e kartës së studentit. Marrëveshjet e lidhura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe institucionet e arsimit të lartë marrin miratimin paraprak në ministrinë përgjegjëse për arsimin”, shpjegohet në vendimin e qeverisë. Shpenzimet për prodhimin dhe administrimin e kartës së studentit do të përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin. Efektet financiare nga reduktimi i çmimeve përballohen nga buxheti i ministrive sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.