Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ka kallëzuar në prokurori kryebashkiakun e Kavajës, Isa Sakja dhe dy zyrtarët e IMT, Dritan Kazazi dhe Dëshira Qato. Ata akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin për 7 objekte shumëkatëshe në Bashkinë e Kavajës.
Njoftimi i plotë:
IKMT kallëzon penalisht kryetarin e Bashkisë Kavajë
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kallëzon penalisht pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, kryetarin e Bashkisë, Isa Sakja. Kryebashkiaku i Kavajës akuzohet per veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Së bashku me Kryetarin e Bashkisë, IKMT ka kallëzuar penalisht edhe drejtoreshën e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave, Dëshira Qato si dhe Kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Bashkia Kavajë, Dritan Kazazi. Gjatë kontrolleve periodike që ushtron IKMT në bazë të ligjit në të gjitha bashkitë e vendit, ka vërejtur se në Bashkinë e Kavajës, personat e akuzuar, duke vepruar, apo mosvepruar në dhënien e lejeve të ndërtimit, apo kontrollit të ligjshmërisë, kanë cënuar interesin publik dhe territorin publik në të paktën shtatë objekte shumëkatëshe të ngritura në territorin e bashkisë Kavajë.IKMT shpreh vendosmërinë e saj, në mbrojtjen e territorit kundër abuzimeve të paligjshme, apo “të kopsitura” nga zyrtarë që shkelin ligjet dhe besimin e qytetarëve.