koniMenjëherë pas kërkesës së ministres së Arsimit të Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini për shkarkimin e tij, reagoi edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai fillimisht mohoi që Ministria e Arsimit të ketë kryer një audit tek UT, ku janë konstatuar edhe skandalet e Konit. Në vijim të reagimit, rektori sulmoi ministren Besa Shahini, duke deklarua se ajo ka frikë nga e vërteta. Sipas tij, gjatë gjithë kësaj kohe ndaj tij janë hedhur sulme të pashembullta.
“Sapo mësova nga media se Ministrja e Arsimit, ka vendosur pezullimin tim nga detyra e Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe i paska kërkuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, shkarkimin tim. Dhe këtë vendim e pas kërkuar mbështetur në një inspektim të Ministrisë që ajo drejton. Në dijeninë time, nga kjo Ministre, nuk ka ardhur asnjë grup inspektimi, sepse, në rast të kundërt, do të isha unë i pari që do ta mësoja një gjë të tillë. Në fakt ishte e pritshme nga ana ime që situata do të shkonte deri këtu, pas gjithë atyre sulmeve ë pashembullta që prej shumë kohësh, janë adresuar ndaj personit tim. Përpara se të merrte një vendim të tillë, Ministrja duhet të më kishte mundësuar një takim apo të më kishte dëgjuar se çfarë realisht po ndodh në Universitetin e Tiranës, por siç duket, e tremb e vërteta”, tha Mynyr Koni.
Ai shtoi se pezullimi dhe kërkesa për shkarkim e artikuluar nga ministrja tregojnë qartë se ajo është urdhëruar nga kryeministri Edi Rama. Ai e akuzoi Ramën se po tenton të marrë nën patronazh Universitetin e Tiranës. “Edhe një herë, me prononcimin e saj të fundit, u kuptua edhe më qartë se kush e urdhëron Ministren dhe se kush kërkon të “gllabërojë” pasuritë e Universitetit të Tiranës”, deklaroi rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Kujtojmë që pak ditë më parë kryeministri Edi Rama ironizoi Konin, duke u shprehur se vetëm ai nuk e ka kuptuar akoma se ka ndodhur protesta e studentëve. Gjatë takimeve me studentët, Rama e pati paralajmëruar në një farë mënyre shkarkimin e Konit. Ai pati deklaruar se nëse studentët duan, Mynyr Koni largohet menjëherë.