Zbardhet raporti, ja 10 institucionet ku fshihen spiunët e Sigurimit, nga SHISH, Ministria e Brendshme e ambasadat, te fakultetet e bashkitë

0
388

Institucionet kryesore në vend janë të mbushura nga spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit. Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Sigurimit pak kohë më parë informoi se janë rreth 30 zyrtarë të lart që figurojnë të lidhur me Sigurimin, ndërsa tashmë janë bërë publike dhe institucionet ku fshihen ata. Gazeta ka siguruar raportin vjetor të AIDSSH, i cili ka shkuar tashmë në Kuvend dhe aty jepen detaje mbi të gjitha verifikimet që janë bërë gjatë dy viteve të fundit për institucionet shtetërore. Përveç rastit të anëtarit të KLP, Bujar Sheshi, Autoriteti i Dosjeve ka zbuluar se personat që kanë bashkëpunuar me Sigurimin janë dhe në institucione të tjera shumë të rëndësishme. Sipas raportit, me kërkesë nga Ministria e Brendshme, janë verifikuar 30 persona në kuadër të verifikimit të figurës përpara emërimeve ose të ngritjes në detyrë. Nga verifikimi, Autoriteti ka dalë me vendimin Nr.40, datë 22.06.2017, sipas të cilit 1 person figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit, bëhet fjalë për shtetasin me iniciale A.XH. Interesant është fakti se spiunë ka dhe në Akademinë e Shkencave. Sipas raportit, me kërkesë nga Akademia e Shkencave, janë verifikuar të gjitha kandidaturat në kuadër të verifikimit të figurës përpara emërimeve ose ngritjes në detyrë. Nga verifikimi, Autoriteti ka dalë me vendimin Nr.51, datë 01.08.2017, sipas të cilit 2 persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit, e konkretisht Gj.Sh e I.M. Dy spiunë janë zbuluar dhe në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë. “Me kërkesë nga Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës, në kuadër të fushatës sensibilizuese të institucionit tonë, janë verifikuar 116 persona, të cilët kanë plotësuar formularët e aplikimit për individ. Nga verifikimi, Autoriteti ka dalë me vendimin Nr.64, datë 25.10.2017, sipas të cilit 2 persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (A.M, I.K)”, thuhet në raport.

Shërbimi diplomatik dhe SHISH

Imune ndaj spiunëve të Sigurimit nuk kanë qenë as Ministria e Brendshme dhe as ajo e Jashtme. Nga raporti i AIDSSH bëhet me dije se në Ministria e Jashtme janë gjetur 7 perona të lidhur me Sigurimin. “Me kërkesë nga MEPJ, janë verifikuar 234 persona në kuadër të verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të figurës, bazuar në Ligjin 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”. Nga verifikimi, Autoriteti ka dalë me vendimet: Nr.72, datë 24.04.2018 (FR); Nr.73, datë 24.04.2018 (EM); Nr.74, datë 24.04.2018 (LlK); Nr.75, datë 24.04.2018 (JSh); Nr.76, datë 24.04.2018 (GS); Nr.77 datë 24.04.2018 (AA); Nr.79 datë 24.04.2018 (AD), sipas të cilëve 7 persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit”, thuhet në raport. Por në të bëhet e ditur se për shtetasin Ll.K vendimi është ndryshuar pas një ankimimi të bërë prej tij. Edhe Shërbimi Informativ shtetëror nuk ka mbetur imun ndaj këtij fenomeni. Ky institucion ka kërkuar verifikim për 45 persona dhe AIDSSH ka verifikuar deri më tani gjysmën e tyre dhe rezulton se 3 janë të lidhur me Sigurimin. Më konkretisht janë shtetasit me inicialet: K.P, Q.D dhe R.M. Bashkëpunëtorë të sigurimit janë identifikuar edhe në Gardën e Republikës. “Me kërkesë nga Garda e Republikës, Ministria e Brendshme, janë verifikuar 7 persona në kuadër të verifikimit të figurës. Nga verifikimi, Autoriteti ka dalë me vendimin Nr.414, datë 08.11.2018, sipas të cilit 1 person figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (QP)”, thuhet në raport. Pra duket qartë se në institucionet kryesore të vendit ka ende ish-anëtarë apo bashkëpunëtor të Sigurimit famëkeq të komunizmit.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here